Këngëtari i njohur latin, Enrique Iglesias, nuk i ka marrëdhëniet më të mira me të atin, këngëtarin Julio Iglesias, ndërsa raportet e acaruara dolën në pah edhe më shumë pasi vendosi të hiqte dorë nga trashëgimia e konsiderueshme e babait të tij. 47-vjeçari refuzoi trashëgiminë e legjendës së muzikës për shkak të distancimit të tyre dhe përçarjes që ka ekzistuar mes tyre prej vitesh.
Ndonëse janë babë e bir dhe konsiderohen ndër artistët më të mëdhenj në botë, realiteti është se përpjekja për t’i afruar ka qenë e kotë. Ata prej shumë vitesh nuk kanë komunikim të mirë dhe të dy kanë ndjekur rrugë të ndara. Nuk janë zbardhur arsyet e vërteta të kësaj marrëdhënieje, por shumë pohojnë se problemi qëndron te konkurrenca e madhe profesionale që i ka larguar shumë nga njëri-tjetri.
Enrique e ka bërë të qartë se nuk ka nevojë për trashëgiminë e babait, pasi së bashku me gruan Anna Kournikova ka ndërtuar perandorinë e tij, pa ndihmën e prindërve. Një burim i afërt me familjen e tyre ka thënë se:
Marrëdhënia e tij me të atin nuk ka qenë kurrë ndër më të mirat. Vitet kalojnë pa folur, madje as në telefon. Enrique beson se e ndërtoi karrierën e tij pa ndihmën e tij.
Ndërkaq, pasuria e Julio Iglesias llogaritet në më shumë se 800 milionë euro dhe krahas suksesit në muzikë, këtë pasuri e ka arritur edhe si sipërmarrës. Enrique Iglesias nga ana tjetër është një ndër këngëtarët ikonë të muzikës kontemporane i cili gjithmonë ka qenë i pranishëm me projekte të reja muzikore që janë shndërruar në hite. Me mbi 100 milionë albume të shitura dhe mbi 100 çmime nga eventet më të rëndësishme të muzikës, ai ja ka dalur të mbahet mend.