Për dosjen “Babale”, sot Gjykata e Apelit jep vendimin për deputetin demokrat, Ervin Salianji, i cili kërkon pafajësi pasi Shkalla e Parë e dënoi me 1 vit burg për “Kallëzim të rremë” më 2019-ën. Prokuroria kërkon që vendimi të mbetet në fuqi. Më 20 shtator, Salianji bëri dorëzimin e provave të reja.
Pas seancës, Salianji u shpreh se ndaj tij nuk ka asnjë provë që ta inkriminojë në shkelje ligjore për denoncimin ndaj Geron Xhafës. Ai paralajmëroi se këtë çështje dhe atë të mosfillimit të hetimit pasuror për ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj do ta dërgojë në SPAK.
Eshtë e qartë që regjistrimi është i saktë. Prokuroria tha që unë i kam dëmtuar imazhin një trafikanti droge dhe kam detyruar vëllain e tij të jepte dorëheqjen. Po unë këtë qëllim kam përditë, të rrëzoj qeverinë. Këta janë kalbësira morale që për para’ shesin gjithçka, për interes politik bëjnë gjithçka.
Salianji zbuloi se në seancë, avokati i Geron Xhafajt pretendoi se klienti i tij ishte nën monitorim nga Prokuroria e Krimeve të rënda dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
E tha ai vetë. Dhe sipas tyre të gjithë institucionet bëjnë komplot dhe vetëm këta janë në rregull, tha Salianji.
Deputeti demokrat, i cili nëse shpallet fajtor në Apel humbet mandatin, tha se kjo çështje do të duhej të ishte gjykuar në SPAK.
Do të depozitojmë kallëzim në SPAK për këtë çështje, për gjyqtarin e kësaj çështjeje, për Fatmir Xhafajn, sepse vëllai i tij është dënuar për trafik droge dhe ai nuk po hetohet për pasurinë nga ligji Antimafia. Ky proces është mbajtur zvarrë, sepse kështu kanë dashur. Edhe sot (20 shtator) duhej të ishte marrë vendim.
Të premten e kaluar, Ervin Salianji shkoi në Gjykatën e Apelit i mbështetur nga kolegë demokratë. Në mjediset e jashtme të gjykatës, pranë tij u panë Luçiano Boçi, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Bledion Nallbati, Xhelal Mziu, Elda Hoti, Lefter Gështenja, Isuf Çela, Qani Xhafa, Saimir Korreshi, Dhurata Çupi, Ferdinand Xhaferraj, Ludovik Hasani, Dashnor Sula, Asllan Dogjani, Luan Baçi dhe Kastriot Piroli.
Në dhjetor të vitit 2019, Gjykata Penale vendosi 1 vit burg për Salianjin, me akuzën e kallëzimit të rremë, kryer në bashkëpunim, por ai nuk u arrestua për të bërë burg, pasi u hetua në gjendje të lirë. Pas ankimimit që Salianji paralajmëroi ndaj vendimit, pritet të shihet se çfarë do të vendosë Gjykata e Apelit, për të marrë formë të prerë. Ndërkohë, Albert Veliu i njohur si Babalja u dënua me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi, me 6 muaj, dënim i zëvendësuar me 100 orë pune.
Ata u shpallën fajtorë për “Kallëzim të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.