Dosja “Babale”, Ervin Salianji shkoi në Gjykatën e Apelit i mbështetur nga kolegë demokratë. Në mjediset e jashtme të gjykatës, pranë tij u panë Luçiano Boçi, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Bledion Nallbati, Xhelal Mziu, Elda Hoti, Lefter Gështenja, Isuf Çela, Qani Xhafa, Saimir Korreshi, Dhurata Çupi, Ferdinand Xhaferraj, Ludovik Hasani, Dashnor Sula, Asllan Dogjani, Luan Baçi dhe Kastriot Piroli.
Avokati Indrit Sefa tha se nga Gjykata e Shkallës së Parë u është refuzuar një listë e gjatë me dëshmitarë të rëndësishëm në lidhje me denoncimin ndaj tij.
Na u refuzua nga Shkalla e Parë pyetja e një sërë dëshmitarësh të rëndësishëm. Taulant Balla nuk na u pranua, Bert Nushi, drejtori i qarkut Fier, shok i ngushtë me Albert Veliun. Fatmir Xhafaj ka qenë ministër i Brendshëm e duhej te pyetej se ka mbajtur qëndrim. Thoma Jano duhej të pyetej si dëshmitar për një shkresë dërguar Gentian Osmanit ku pretendohej se telefoni i Fredi Alizotit nuk është përgjuar pasi kompania telefonike paska patur probleme.
Gjithashtu pjesë e listës së refuzuar është edhe Donika Prela, e cila ka kryer përzgjedhjen e prokurorit dhe për qëndrim publik Gentian Osmani. Përparim Kulluri, Ardi Veliu, Andi Enesi, Sokol Xhani, oficerë që kanë kryer veprime aktive. Për këtë arsye kërkojmë që gjykata të riçelë hetimin gjyqësor dhe ta thërrasë të gjithë listën e dëshmitarëve duke nisur nga Taulant Balla.
Në dhjetor të vitit 2019, Gjykata Penale vendosi 1 vit burg për Salianjin, me akuzën e kallëzimit të rremë, kryer në bashkëpunim, por ai nuk u arrestua për të bërë burg, pasi u hetua në gjendje të lirë. Pas ankimimit që Salianji paralajmëroi ndaj vendimit, pritet të shihet se çfarë do të vendosë Gjykata e Apelit, për të marrë formë të prerë. Ndërkohë, Albert Veliu i njohur si Babalja u dënua me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi, me 6 muaj, dënim i zëvendësuar me 100 orë pune.
Ata u shpallën fajtorë për “Kallëzim të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.