Aktualitet

Avokati Sokol Mëngjesi mbetet në intubim/Sot masa për të arrestuarit!

Vijon e njëjtë gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi, i dhunuar barbarisht tre ditë më parë për shkak të detyrës. 45-vjeçari mbetet në intubim në reanimacionin e Spitalit të Traumës, i stabilizuar por pa asnjë ndryshim.

Prokuroria e Tiranës kërkon “Arrest me burg” për Dritan Nanon, i arrestuar si organizator i dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi tre ditë më parë e që ende është në koma në spital. “Arrest me burg” kërkon edhe për Dorian Alinë, njëri nga tre dhunuesit e njëherazi dhëndër i Nanos.  Ndërkaq, shtetasit Elton Kasaj, Drivald Alia e Romario Tabaku, ende janë në kërkim. Tabaku i shoqëroi me makinë ndërsa Kasaj e Alia gjithashtu u përfshinë në goditjen e avokatit. Për kapjen e tyre, u ofruan 20 mijë euro shpërblim nga policia e Tiranës.

Avokati u dhunua mëngjesin e 29 majit, pasi la djalin në një kopësht në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Dorian Alia u vetëdorëzua e pranoi se sulmin e porositi Dritan Nano. Sipas 32-vjeçarit, dhuna ishte paralajmërim që  Sokol Mëngjesi të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit. 58-vjeçari Dritan Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës që kishin firmosur.

Ndërkaq, në Gjykatën e Tiranës po zhvillohet me dyer të mbyllura masa ndaj dy të arrestuarve. Prokuroria ka zbutur akuzën ndaj të dyshuarve duke rikualifikuar veprën penale nga “Vrasje e funksionarëve publikë, e mbetur në tentativë” në “Plagosje e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit, kryer në bashkëpunim”.

Për veprën penale “Vrasje e funksionarëve publikë, e mbetur në tentativë”, Kodi Penal parashikon jo më pak se 30 vjet heqje lirie ose burg përjetë ndërsa për atë “Plagosje e rëndë me dashje, e kryer në bashkëpunim” parashikon burgim nga 3 deri në 10 vjet. Sa i përket “Kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit, kryer në bashkëpunim”, përcakton gjobë ose burg deri në 7 vjet.