Aktualitet

Avokati Sokol Mëngjesi 5 ditë në koma/Reagimet e tij verifikohen nesër nga mjekët!

Avokati Sokol Mëngjesi vijon të jetë në intubim, në koma në Spitalin e Traumës, në Tiranë. Burime spitalore të cituara nga mediat bëjnë të ditur se për të pestën ditë radhazi, 45 vjeçari po mbahet në monitorim intensiv e do të pritet deri nesër, për të parë reagimin e pacientit. Nëse gjendja e tij do të jetë e njëjtë, nga nesër mund të ulet doza e qetësuesve në mënyrë graduale e të shihet si do të reagojë.

Nën kujdesin e mjekëve, ai ndodhet prej datës 29 maj kur u dhunua barbarisht nga tre persona, pranë kopshtit ku rreth orës 09:00 kishte shoqëruar djalin e tij, në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Me kalimin e orëve u raportua nga policia se ishte një dhunë për shkak të detyrës. Njëri prej tre agresorëve, Dorian Alia, i cili u vetëdorëzua dhe personi i akuzuar si porositës i sulmit, dje u lanë në qeli. Ndërkaq, vazhdon kërkimi për tre të tjerë.

Si porositës u identifikua dhe u ndalua Dritan Nano, i cili po mohon çdo përfshirje. Ai akuzohet se nuk iu përmbajt detyrimeve të kontratës me avokatin Sokol Mëngjesi për një gjyq pronash të fituar prej familjes ku bën pjesë dhe që në të dy shkallët e gjyqësorit u përfaqësua me sukses nga Mëngjesi. Në këto kushte, 45-vjeçari e hodhi në gjyq klientin dhe i bllokoi pronën. Përmes akteve të dhunës, synohej trembja e avokatit që të mos vijonte me rrugën ligjore të ndjekur.

Një ditë më parë, Prokuroria e Tiranës zbuti akuzën ndaj të dyshuarve duke rikualifikuar veprën penale nga vrasje të funksionarëve publikë, e mbetur në tentativë në plagosje e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim, si dhe kundërshtim e goditja e gjyqtarit, kryer në bashkëpunim.

Dorian Alia, dhëndri i Dritan Nanos, i arrestuari i vetëm nga grupi i dhunuesve, tha se sulmi nuk ishte i organizuar, por se avokati i doli rastësisht para dhe e goditi për ta paralajmëruar të tërhiqte padinë kundër vjehrrit të tij për pronën te zona e Liqenit Artificial në Tiranë.

Edhe për tre të tjerët që ende janë në kërkim nga policia, Drivaldo Alia, Elton Kasaj e Romario Tabaku, dje gjykata caktoi masën “Arrest me burg” në mungesë.