Aktualitet

Avokatët në grevë për Sokol Mëngjesin, i cili po lufton për jetën!

Nga sot, avokatët në vendin tonë kanë nisur një grevë tre-ditore, në solidaritet me Sokol Mëngjesin, kolegun e tyre, i cili një javë më parë u dhunua barbarisht në Tiranë, për shkak të detyrës, lidhur me një çështje pronash.  Ky është vendimi i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, vendim që u mor me 28 vota pro.

Këshilli i Përgjithshëm mori vendimin të bojktojë në shenje solidariteti me avokatin Sokol Mëngjesi, tre ditë çështjet penale e civile, duke filluar nga e mërkura (5 qershor). Nga ky vendim, përjashtohen për të hyrë në seancë, avokatët që do të hyjnë për masat e sigurimit në tërësi. Për të gjithë avokatët që do të shkojnë jashtë këtij vendimi, do të cilësohet shkelje e rëndë e do të vihet në levizje Komiteti Disiplinor që do të marrë masa, deri në heqjen e liçencës.

Korrespondentët e Top Channel në mbarë vendin, raportojnë se dhomat avokatore po i përmbahen vendimit.

Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua barbarisht nga tre persona më 29 maj, pranë kopshtit ku rreth orës 09:00 kishte shoqëruar djalin e tij, në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Me kalimin e orëve u raportua nga policia se ishte një dhunë për shkak të detyrës. Njëri prej tre agresorëve, Dorian Alia, i cili u vetëdorëzua dhe personi i akuzuar si porositës i sulmit, dje u lanë në qeli. Ndërkaq, vazhdon kërkimi për tre të tjerë.

Si porositës u identifikua dhe u ndalua Dritan Nano, i cili po mohon çdo përfshirje. Ai akuzohet se nuk iu përmbajt detyrimeve të kontratës me avokatin Sokol Mëngjesi për një gjyq pronash të fituar prej familjes ku bën pjesë dhe që në të dy shkallët e gjyqësorit u përfaqësua me sukses nga Mëngjesi. Në këto kushte, 45-vjeçari e hodhi në gjyq klientin dhe i bllokoi pronën. Përmes akteve të dhunës, synohej trembja e avokatit që të mos vijonte me rrugën ligjore të ndjekur.