Aktualitet

Autoriteti i Konkurrencës vendos nën hetim tregjet e fruta perimeve në Tiranë dhe disa qarqe të tjera!

Vendoset nën hetim paraprak tregu i grumbullimit dhe shitjes me shumicë i fruta-perimeve në qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.

Komisioni i Konkurrencës, pas përfundimit të procedurës së monitorimit në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta perimeve mori në shqyrtim në mbledhjen e datës 14.06.2024 propozimin e sekretariatit të konkurrencës  për hapjen e hetimit paraprak në këtë treg për qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.

Referuar strukturës së tregut, integrimit vertikal, sjelljes së ndërmarrjeve grumbulluese dhe diferencave të mëdha në zinxhirin e vlerës së produktit nga prodhuesit, grumbulluesit, shitësit me shumicë deri tek konsumatori fundor, mund të jemi para nje sjelljeje antikonkurruese si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve, në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 1085, datë 14.06.2024, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve, për të parë nëse ka, ose jo, shkelje të nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Hetimi paraprak përfshin periudhën kohore nga 1 Janar 2023 deri në 31 Maj 2024.