Gossip Showbiz

Autoritetet nuk kanë përfunduar ende testet, trupi i pajetë i Liam Payne nuk i dorëzohet familjes!

Trupi i pajetë i artistit britanik, Liam Payne i cili ndërroi jetë të mërkurën në Buenos Aires, nuk do t’i dorëzohet familjes së tij, derisa autoritetet të përfundojnë testet përfundimtare klinike, tha një burim për CNN. Autoritetet presin që kjo të ndodhë brenda javës, por nuk përjashtuan mundësinë që rezultatet të mund të jenë gati në fundjavë.

Geoff Payne, babai i ish-këngëtarit të One Direction, mbërriti në Buenos Aires të premten. Burimet thanë se autoritetet e lejuan atë të shihte trupin e djalit të tij në morg. Babai i artistit të ndjerë vizitoi edhe hotelin ku kishte qëndruar djali i tij. CNN raportoi më parë se ai donte të vizitonte dhomën e djalit të tij, por nuk u lejua të hynte për shkak të hetimit në vazhdim.

Në vend të kësaj, babai i tij ishte në gjendje të shihte një dhomë të ngjashme në një kat tjetër. Ai gjithashtu përshëndeti fansat jashtë hotelit, duke i falënderuar për mbështetjen e tyre të madhe dhe duke parë memorialin e mbushur me foto, letra, qirinj dhe lule.

Stafi në hotelin e Buenos Aires janë duke u hetuar pasi dyshohet se e furnizuan Liam Payne me substanca të forta narkotike në ditët para tragjedisë. Punonjësit akuzohen për kontrabandë të lëndëve narkotike të ndryshme në suitën e këngëtarit të ndjerë në hotelin CasaSur. Një pastrues dhe një anëtar tjetër i stafit thuhet se i fshehën substancat narkotike në kutinë e sapunit, të cilën detektivët e gjetën në dhomën e 31-vjeçarit pas vdekjes së tij. Pluhur i bardhë, kristale, tableta dhe pajisje të tjera u zbuluan në suitën e katit të tretë. Policia i ka dërguar këto substanca për analiza.

Liam Payne, këngëtari 31-vjeçar, është raportuar se u përjashtua nga Palacio Duhau – Park Hyatt Buenos Aires përpara se të ndërronte jetë më 16 tetor. Burime të brendshme i kanë thënë revistës People se Payne u detyrua të largohej nga hoteli për shkak të shqetësimit të të ftuarve të tjerë dhe dukjes së tij të dehur.