Nga sot, mjetet urbane do të punojnë me gjysmën e kapaciteteve. Njoftimin e jep Unioni i Transportit Publik që saktëson se vendimi është pasojë e problemeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia koronavirus.
Rritja e çmimit të naftës, na bën të pafuqishëm ekonomikisht për të punuar me kapacitete të plota.
Unioni i Transportit Publik thotë se nuk është marrë asnjë masë që të plotësohen kërkesat ekonomike të premtuara, ndaj do të punojnë me gjysmën e kapaciteteve.
Të nderuar, Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik, ju vejnë në dijeni se pas një viti e gjysmë nga rihapja e transportit publik, ndodhemi ende në pikën fillestare ku asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka marrë asnjë masë apo plotësim të kërkesave ekonomike të premtuara.
E të gjendur në këtë situatë të pafuqishme ekonomike për të përballuar ecurinë e transportit dhe sidomos pas rritjes së vazhdueshme e të pandërprerë të çmimit të naftës dhe të largimit të stafit, jemi të detyruar që të operojmë nga data 18.10.2021 me gjysmën e kapacitetit të flotës së mjeteve urbane.
Jemi në këtë situatë pas shumë kërkesash dhe njoftimesh si në institucionet vendore dhe ato qendrore ku mosreagimi i tyre, na bën që të shkojmë deri në një kapitullim ekonomik të këtij sektori.
Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, mbetemi në pritje të zgjidhjes së kërkesave tona nga ana e institucioneve përgjegjëse.
Kërkesat e Shoqatave të Transportit nuk kanë ndryshuar:
1-Të hiqet akciza për naftën dhe taksat për karburantin, si sektori i peshkimit.
2- Të ulet TVSH-ja nga 20% në 0%.
3- Rimbursim në burim i kategorive, të cilat përfitojnë transport falas.