Bota

Austrinë e pret një e ardhme politike e paqartë!

Partia e Lirisë kundër emigrantëve i tejkaloi sondazhet dhe fitoi zgjedhjet e 29 shtatorit në Austri. Rezultati historik nxori në pah arritjet e ekstremit të djathtë në Europë, por mund ta lërë në opozitë, pasi shumë parti tradicionale po përpiqen ta mbajnë jashtë qeverisë.

Partia e Lirisë fitoi 29% të votave të rreth 6 milion votuesve. Partia Popullore në pushtet e kancelarit Karl Nehammer doli e dyta, me 26% ndërsa të tretët, socialdemokratët e opozitës, me 21%.

Por, në zgjedhjet e djeshme, asnjë parti e vetme nuk siguroi shumicën në Dhomën e Ulët të Parlamentit apo Këshillin Kombëtar që ka 183 vende. Bisedimet për të formuar qeverinë e re mund të zvarriten me javë ose muaj.

Shumica e partive të mëdha u zotuan se do t’i shmangin koalicionet me Partinë e Lirisë, e cila u bë e para e ekstremit të djathtë që fitoi zgjedhjet austriake që nga Lufta e Dytë Botërore. Nehammer tha se Partia e tij Popullore konservatore nuk do ta sjellë në qeveri kreun 55-vjeçar të Partisë së Lirisë, Herbert Kickl, por nuk e përjashtoi marrëveshjen për të qeverisur me të.

Pavarësisht kryesimit të vazhdueshëm në sondazhe gjatë dy viteve të fundit, Kickl mbetet ndër politikanët më pak të njohur të vendit. Presidenti Alexander Van der Bellen, ish-anëtar i Partisë së të Gjelbërve, i cili ka shprehur dyshime për Partinë e Lirisë, jep mandatin për formimin e qeverisë së ardhshme.

Pas shpalljes së rezultateve, Van der Bellen tha se ai do të sigurojë që çdo qeveri t’iu përmbahet “themeleve të demokracisë liberale”.

Kritikët e Partisë së Lirisë e akuzojnë për ksenofobi, racizëm dhe antisemitizëm dhe thonë se propozimet e saj nacionaliste dhe antimyslimane e minojnë kohezionin social.

Euroskepticizmi që ka kërcënon rolin e jashtëzakonshëm të Austrisë në Bashkimin Europian dhe anshmëria e saj për nga Moska, rrezikon përpjekjet e Perëndimit për ta ndihmuar Ukrainën që të luftojë kundër pushtimit të paprovokuar rus.

Partia e Lirisë u formua në vitet 1950 nga ish-nazistët dhe ka premtuar se do të heqë dorë nga politikat e azilit e të emigracionit.

Partia e Lirisë dhe shumë parti homologe të krahut të djathtë, me popullaritet europian kanë kundërshtuar mbështetjen për Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të fqinjit.

Fitorja e Partisë së Lirisë erdhi pasi në zgjedhjet në Holandë, nëntorin e kaluar, fitoi Partia për Lirinë e ekstremit të djathtë e Geert Wildersit. Ndërkaq, Franca e Gjermania arritën të shmangnin rrezikun.