Australia në alarm. Agjencia e Shërbimit të Brendshëm Sekret të këtij vendi, ASIO mori vendim për të ngritur nivelin e kërcënimit nga terrorizmi në shkallën “e mundshme”. Kjo në mes të një shqetësimi në lidhje me rritjen e ekstremizmit, siç tha sot drejtori i përgjithshëm i agjencisë.
Shefi i ASIO-s, Mike Burgess u shpreh se mjedisi i sigurisë në Australi është bërë më i paqëndrueshëm dhe më i paparashikueshëm e shtoi se vendimi nuk u “mor me shpejtësi apo me lehtësi”. Mes shqetësimeve kryesore të sigurisë janë dhuna me motive politike, spiunazhi e ndërhyrjet nga jashtë Australisë. Ka një shtim të numrit të australianëve që po joshen prej ideologjive ekstreme e që çojnë në akte dhune.
Më shumë australianë po përqafojnë një gamë më të larmishme ideologjish ekstreme dhe më shumë australianë janë të gatshëm të përdorin dhunën për të çuar përpara kauzën e tyre, vuri në dukje në një deklaratë të posaçme.
Dhuna e motivuar politikisht tani i bashkohet spiunazhit dhe ndërhyrjes së huaj, si shqetësimet tona kryesore të sigurisë.
Zyrtari i lartë australian theksoi edhe se trendi u rrit gjatë pandemisë COVID-19 e madje fitoi vrull të mëtejshëm pas sulmeve terroriste të 7 tetorit të vitit të kaluar në Izrael dhe u përshpejtua gjatë përgjigjes ushtarake të shtetit hebraik.
Individët po përqafojnë ideologji kundër autoritetit, teori konspirative, si dhe ankesa të ndryshme. Disa po kombinojnë besime të shumta për të krijuar ideologji të reja hibride, nënvizoi drejtori i agjencisë.
Më tej, Mike Burgess u kujdes edhe që të evidentonte se sulmet ka të ngjarë të ndodhin me pak ose aspak paralajmërim e për këtë do të ishin të vështira për t’u zbuluar. Por, nga qytetarët kërkoi të mos frikësohen.
E mundshme nuk do të thotë e pashmangshme… Australianët duhet të jenë të vetëdijshëm, por jo të frikësohen, deklaroi drejtori Burgess.