Bota

Australia dhe Britania e Madhe bashkëpunim në fushën e ndryshimeve klimatike dhe energjisë!

Australia dhe Britania e Madhe vendosën që të bashkëpunojnë në fushën e ndryshimeve klimatike dhe energjisë. Kryeministri britanik Keir Starmer dhe homologu i tij australian Anthony Albanese, në margjinat e Samitit të Liderëve të Komonuelthit u takuan në shtetin e ishujve të Paqësorit, Samoa. Pas bisedimeve të zhvilluara në kuadër të takimit, palët njoftuan se ranë dakord për arritjen e emetimeve neto zero të karbonit deri në vitin 2050 në kuadër të luftës kundër ndryshimeve klimatike.

Palët vendosën të bashkëpunojnë gjithashtu edhe në fushën e teknologjisë dhe inovacionit dhe vendosën të bashkëpunojnë për të përshpejtuar energjinë e rinovueshme. “Ky partneritet do të na mundësojë të maksimizojmë potencialin tonë ekonomik për të arritur neto zero mbetje”-tha Albanese. Palët gjithashtu në kuadër të paktit AUKUS, riafirmuan angazhimin e tyre të ndërsjellë për zhvillimin e nëndetëseve bërthamore. Në vitin 2021, Australia, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar njoftuan formimin e AUKUS, një traktat trepalësh sigurie për rajonin Indo-Paqësor.

Traktati është menduar kryesisht si kundërpërgjigje për Kinën, e cila ka rritur praninë në rajon. Samiti i 27-të i Liderëve të Komonuelthit zhvillohet midis 25-26 tetor në Samoa, një shtet në ishujt e Paqësorit. Ndërkaq, njerëzimi ka nxjerrë jashtë ekuilibrit ciklin global të ujit “për herë të parë në historinë njerëzore”, duke nxitur një katastrofë në rritje të ujit që do të shkatërrojë ekonomitë, prodhimin e ushqimit dhe jetët, sipas një raporti të ri historik.

Dekada të përdorimit shkatërrues të tokës dhe keqmenaxhimit të ujit janë përplasur me krizën klimatike të shkaktuar nga njerëzit, thuhet në raportin e publikuar nga Komisioni Global për Ekonominë e Ujit. Bëhet e ditur se cikli i ujit i referohet sistemit kompleks me të cilin uji lëviz rreth Tokës. Uji avullohet nga toka duke përfshirë nga liqenet, lumenjtë dhe bimët dhe ngrihet në atmosferë, duke formuar lumenj të mëdhenj avulli të aftë për të udhëtuar në distanca të gjata, përpara se të ftohen, kondensohen dhe përfundimisht të bien përsëri në tokë si shi ose borë.