Bota

Atletico Madrid “mbreti” i merkatos, 4 transferime dhe 200 milionë euro!

Çuditërisht, Atletico Madrid është protagonisti i madh i kësaj merkatoje.

Pas një sezoni jo të mirë që përfundoi me vendin e katërt në La Liga, “Colchoneros” kanë vendosur të rinisin fuqishëm projektin Simeone-s duke investuar si kurrë më parë në vitet e fundit.

Nga Anglia gjatë të martës sigurojnë: “Operacioni” Julian Alvarez është mbyllur, argjentinasi shumë shpejt do të zyrtarizohet te Atletico.

Një investim prej 95 milionë eurosh që dyfishon atë që klubi ka shpenzuar deri më tani.

Por, si nisi kjo merkato?

Që kur sezoni përfundoi, kuptohej se cikli i disa lojtarëve ishte mbyllur.

Mario Hermoso, Stefan Savic dhe Memphis Depay u larguan nga skuadra, mbi të gjitha u larguan Alvaro Morata dhe Saul Niguez, ky i fundit u huazua te Sevilla.

Largime me peshë që krijuan jo vetëm hapësirat, por edhe shtruan rrugën për të ndryshuar totalisht fytyrën e skuadrës.

Le Normand, Sorloth dhe së shpejti edhe Gallagher e Julian Alvarez.

Blerja e parë e madhe ishte një kampion europian: Robin Le Norman.

Mbrojtësi i cili erdhi nga Real Sociedad për rreth 30 milionë euro, pa harruar edhe 5 milionë të tjera që do të shkojnë në formë bonusesh dhe është blerja e dhjetë më e shtrenjtë në historinë e klubit.

Më pas ishte radha e trashëgimtarit të Moratas: Alexander Sorloth.

Sulmuesi erdhi nga Villarreal për 32 milionë euro, një “operacion” që nisi nga dështimi për të transferuar në Madrid Dovbyk që firmosi me Romën.

Mesfusha do të pasurohet me Conor Gallagher, një futbollist i lindur në vitin 2000 dhe madrilenët kanë arritur akordin me Chelsea-n për 40 milionë euro.

Në fund, qershia mbi tortë: Julian Alvarez, që ka vendosur të largohet nga Manchester City dhe është gati transferimi te Atletico për plotë 95 milionë euro.

Pra, me kompletimin e transferimit të argjentinasit, Atletico do të mbyllë merkaton me afro 200 milionë euro shpenzime, teksa bilanci pritet të rregullohet edhe nga zyrtarizimi i Samu Omorodion te Chelsea.

Sulmues i lindur në vitin 2004 ka mbyllur detajet me londinezët që do të paguajnë jo pak, por rreth 50 milionë euro.

Me pak fjalë, kjo verë është e gjitha e Atletico-s, që duket se do të jetë një rival i denjë për titullin kampion së bashku me dy pretendentët kryesor, Real Madrid dhe Barcelona.