Aktualitet Politikë

Atentati në Shkodër, reagon nga burgu Salianji: Degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika për jetën…

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar nga qelia e burgut për ngjarjen e ndodhur në Shkodër, atentati me 3 të vrarë dhe një të plagosur ditën e mërkurë.

Reagimi është bërë me anë të një letre, ku ai vë në dukje edhe “qëndrimin e qeverisë në raport me krimin”.

“Degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin! Ne do t’i çmontojmë bandat me forcën e ligjit e do të mbajmë përgjegjës çdo kriminel e çdo pupac që i shërben atyre! Drejtësia vonon por nuk harron!”, shkruan mes të tjerash Salianji.

Deputeti demokrat po vuan 1 vit burgim të formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli, për dosjen “Babale”, me akuzën e “kallëzimit të rremë”, për inskenimin e audiopërgjimit për të implikuar Agron Xhafën në trafik droge, vëllanë e ish-ministrit Fatmir Xhafa. Dënimin po e vuan në Burgun e Fierit prej datës 27 Shtator të këtij viti.

Letra e Ervin Salianjit nga burgu:

Humbja e jetës së qytetarëve të pafajshëm, guximi për të vrarë në mes të qytetit dhe humbja e autoritetit të shtetit janë tragjedi që parakalon në sytë e të gjithëve! Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar ishte tragjedia e Shkodrës ku mbetën të vrarë qytetarë të pafajshëm! Policia nuk reagon ndaj kërcënimit me vdekje ndaj një të riu, e pafuqishme ta parandalojë krimin, e pafuqishme të kapë autorët, e pafuqishme të reagojë më shumë se agjensitë e lajmeve. Është tmerr më vete se si qeveria i shkel syrin krimeve në varësi të kalkulimeve elektorale, asnjë reagim qeveritar për vrasjet, ministri që belbëzon dhe rri para kamerave sikur i kanë drejtuar armën nuk guxon dot as të dënojë vrasjet dhe as të marrë masa, sepse ministri është i lejuar të fusë hundët tek parfumi i Elda Hotit për ta propoganduar si helm i shkatërrimit në masë, por askush i thyejnë hundët nëse i fut tek punët e policisë, ata i emëron krimi e janë në shërbim të partisë shtet! Prandaj i turren protestuesve dhe zbythen nga kriminelet, prandaj nderojnë banditët dhe dhunojnë hallexhinjtë!

Degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin! Ne do t’i çmontojmë bandat me forcën e ligjit e do të mbajmë përgjegjës çdo kriminel e cdo pupac që i shërben atyre! Drejtësia vonon por nuk harron!.