Bota

Atentati ndaj Trump-it, shtohen pikëpyetjet mbi veprimet e policisë!

Në SHBA, kreu i policisë së Pensilvanisë tha se më 13 korrik, dy agjentë të pozicionuar në kompleksin e ndërtesave nga ku një 20-vjeçar hapi zjarr në drejtim të ish-presidentit Trump, u larguan nga aty, në kërkim të tij. Kjo ndodhi përpara të shtënave, duke ngritur dyshimet se pozicioni kyç u la zbuluar teksa autori u ngjit mbi çati.

Para një komisioni të Kongresit Amerikan, koloneli Christopher Paris tha se nuk e dinte nëse oficerët do të kishin mundur të shihnin atentatorin e Trump-it, Thomas Matthew Crooks duke u ngjitur në çatinë e një ndërtese aty pranë, nëse do të kishin qëndruar në vendin e tyre, pranë dritares. Një video e marrë nga një ligjvënës, tregon se një dritare në katin e dytë të objektit kishte një pamje të qartë të çatisë nga ku sulmuesi hapi zjarr.

Dëshmia ofron një pasqyrë të re mbi masat e sigurisë për tubimin e ish-presidentit Trump në Butler të Pensilvanisë, të shtunën e 13 korrikur, por gjithashtu ngre gjithashtu pikëpyetje të mëtejshme lidhur me vendimet e organeve të zbatimit të ligjit përpara se sulmuesi Crooks të hapte zjarr.

Prokurori i Qarkut Butler, Richard Goldinger, i cili mbikëqyr njësinë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga agjencia Associated Press. Një zëdhënës i Shërbimit Sekret nuk iu përgjigj pyetjeve nga Associated Press, përfshirë edhe atë se kush dha urdhër që oficerët të largoheshin nga vendi i tyre.

Kjo dëshmi vjen mes një sërë pikëpyetjesh që lidhen me dështimet e shumta që krijuan terren, që 20-vjeçari i armatosur të hipte në çati e të qëllonte tetë herë me armë gjysmë automatike AR në drejtim të turmës pak pasi Trump filloi të fliste. Një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën. Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë mori një plagë në veshin e djathtë.

Drejtorja e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle njoftoi dorëheqjen, një ditë pasi u paraqit përpara një komisioni të Kongresit Amerikan dhe me orë të tëra u kritikua nga ligjvënës demokratë e republikanë për dështimet e sigurisë. Ndërkohë, ende vijojnë një sërë hetimesh mbi ngjarjen, nga administrata Biden dhe ligjvënës.