Aktualitet

Atentati ndaj Trump-it, Rama: Tragjedi për botën demokratike!

Kryeministri Edi Rama dënoi sulmin me armë ndaj Donald Trump-it. “Eshtë shqetësuese të shohësh që një kandidat për President i Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur”, shkroi Rama në platformën X.

Ndërsa theksoi se kjo është një tragjedi për botën demokratike, kryeministri Rama nënvizoi se mendimet e tij janë me Trump-in dhe familjen e ish-presidentit.

Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dënoi sulmin ndaj Trump-it.

Mësova me keqardhje lajmin e tentativës për vrasjen e Presidentit Donald Trump. I uroj shërim të shpejtë Presidentit Trump dhe ngushëllime të sinqerta për humbjen e jetës së një personi të pafajshëm. E dënojmë ashpër këtë sulm dhe çdo formë të dhunës politike që nuk ka vend në demokraci.

Autoritetet amerikane ende nuk kanë bërë publik motivin e atentatit të Pensilvanisë ndaj Donald Trump-in, me autor të dyshuar 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks, i cili njihej si votues republikan dhe si person që urrente Trump-in. I riu nga Bethel Park i Pensilvanisë u ekzekutua nga agjentët pasi me një pushkë gjysmëautomatike, vrau një person e plagosi dy të tjerë, nga një çati që ndodhet në më pak se 150 metra larg skenës ku fliste Trump-i. Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë u shfaq i gjakosur. Pasi mori mjekim në Pensilvani, ai udhëtoi drejt Nju Xhersit, në gjendje të mirë shëndetësore.

E kuptova menjëherë se diçka nuk po shkonte kur dëgjova krisma, të shtëna dhe menjëherë ndjeva se plumbi po çante nëpër lëkurë, shkroi Trump në llogarinë e tij në Truth Social.

Agjencia “Associated Press” ka analizuar videot dhe fotografitë e realizuara gjatë tubimit, por edhe imazhet satelitore të vendit ku u mbajt mitingu me mbështetës. Nga analiza e këtyre materialeve, rezulton se sulmuesi ishte në gjendje të afrohej shumë me skenën, në podiumin e së cilës po fliste ish-presidenti i SHBA-ve.

Nuk është hera e parë që një president apo kandidat për president amerikan vihet në shënjestër të qytetarëve të tij. I plagosur lehtë gjatë një mitingu në Pensilvani, ku për fat të keq u vra një qytetar dhe u plagosën dy të tjerë, Donald Trump është vetëm i fundit në listë. Padyshim, ajo që e ka tronditur më shumë Amerikën ishte vrasja e John Kennedy-t më 22 nëntor 1963, ndërsa me kortezhin presidencial kalonte në Dallas.