Bota

Atentati ndaj Trump-it, FBI: Hetimi mund të zgjasë me muaj!

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara po heton se si autori i atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump ia doli që të afrohej aq pranë saqë arriti të hapë zjarr dhe ta plagosë me një armë të tipit AR, të shtunën e 13 korrikut në Pensilvani. Ngjarja po konsiderohet si një dështim i thellë i agjencisë.

Një ditë më parë, FBI-ja që po drejton hetimet, identifikoi 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks si “subjektin e përfshirë” në atentatin e së shtunës ndaj ish-presidentit Trump, një nga aktet e profilit më të lartë të dhunës politike në disa dekada.

Byroja bëri të ditur se Crooks ishte nga Bethel Park i Pensilvanisë, rreth një orë larg nga vendi i tubimit politik ku Donald Trump-in e kapi plumbi në veshin e djathtë ndërsa mbante një fjalim për fushatën.

Crooks u vra nga personeli i Shërbimit Sekret. Ai ishte vetëm 150 metra larg vendit ku po fliste ish-presidenti Trump kur hapi zjarr.

Presidenti Joe Biden tha se ai ka kërkuar një analizë të pavarur të masave të sigurisë në tubim. Biden shtoi se ka udhëzuar dhe Shërbimin Sekret të SHBA-ve që të rishikojë të gjitha masat e sigurisë për Kuvendin Kombëtar Republikan, që fillon sot në Miluoki.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë iu bëri thirrje amerikanëve që të mos spekulojnë lidhur me motivin e autorit të sulmit. FBI-ja po e heton atentatin si një akt të mundshëm terrorizmi të brendshëm. Sulmi tronditi majat e sistemit politik amerikan dhe si rezultat, të paktën përkohësisht, solli një zbutje të fushatës së nxehtë presidenciale të 2024-ës.

Motivi i autorit mbetet i paqartë. Familja e tij po bashkëpunon me autoritetet. Në makinën e autorit të dyshuar të sulmit u gjetën materiale për prodhim bombash dhe se të tilla materiale u zbuluan edhe në shtëpinë e tij.

Prirjet politike të të riut nuk ishin të qarta. Ai ishte regjistruar si votues republikan. Por, sipas të dhënave të Komisionit Federal Zgjedhor kur ishte 17 vjeç, pati dhënë një kontribut prej 15 dollarësh për organizatën politike “ActBlue”, e cila mbledh fonde për kandidatë demokratë dhe me prirje të majta.

Kevin Rojek, agjent i posaçëm i FBI-së i ngarkuar me zyrën në terren në Pittsburgh, u tha gazetarëve se “është e habitshme” që personi i armatosur qëlloi katër ose pesë herë përpara se të vritej.

Aktualisht nuk kemi një motiv të identifikuar, megjithëse hetuesit tanë po punojnë pa u lodhur në përpjekje për të gjetur se cili ishte ai motiv. Hetimi mund të zgjasë me muaj.