Aktualitet

Atentati me tre viktima në Memaliaj, gjyshja e kamarierit Gledjon Muka: Na bëri gjëmën…

Hava Muka, gjyshja e kamarierit Gledjon Muka, i cili ndërroi jetë padrejtësisht në masakrën me tre viktima në Memaliaj, ka folur për mediat ditën e sotme, ku ka kërkuar drejtësi për humbjen e nipit të saj.

“Na e vranë djalin pa faj. Përse na e vranë”, këto janë pyetjet e gjyshes së Gledionit, 36 vjeçarit i cili punonte si kamarier në lokalin ku të shtunën e 20 korrikut u ekzekutuan Shyqyri Kalemi, dhe 47-vjeçari, Marsel Çela.

“Na bëri gjëmën, e kishim djalë të vetëm”, ka thënë e moshuara mes lotësh.

“E kemi pasur flori e kaluar floririt. Punonte kamerier për bukën e gojës. Pse ma vranë djalin? Përse? Ata e kishin lënë punën dhe po rrinin atje se ishte vapë. Kishte nënën babanë, unë gjyshja. Kërkojmë të drejtën e djalit. Përse na vranë? Çfarë bën shteti. Na bëri gjëmën, e kishim djalë të vetëm. Gledi i nënës, floriri i nënës”, tha ajo mes lotësh.

Kujtojmë se nga atentati fatal i së shtunës, Muka dhe Çela janë dy viktima të pafajshme, ndërsa objektiv i atentatit ka qenë Shyqo Kalemi, babai 74 vjeçar i Andrea Kalemit.

Masakra e Memaliajt, me tre viktima, dy prej të cilëve të pafajshëm, dyshime se në atentat janë përfshirë tre persona. Njëri prej tyre doli nga automjeti duke qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt objektivit, Shyqyri Kalemit. 74-vjeçari ishte babai i Andrea Kalemit. I moshuari humbi jetën në mjediset e një lokali ku gjithashtu gjetën vdekjen një kamarier e një klient, si dhe u plagos rëndë vëllai i viktimës.

Dyshohet se kjo ngjarje kriminale lidhet me hakmarrjen, si pjesë e sagës së atyre që datojnë prej 11 qershorit 2022, kur një shpërthim i telekomanduar i mori jetën Aleksandër Sadikajt në Tiranë. Po në Tiranë, në dhjetor 2022 u vra biznesmeni nga Saranda, Edmond Papa dhe mes të përfshirëve në ekzekutim ishte Andrea Kalemi, kushëri i Sadikajt. I njohur dhe me emrin Adriatik, atij i janë bërë dy atentate në Greqi, një kur ishte me pushime e një tjetër në burg. Në janar të këtij viti, vëllai i tij, Zamir Kalemi i mbijetoi një atentati në kryeqytet.