Rëndohet bilanci i viktimave të atentatit të 30 tetorit 2024 në aksin Shkodër-Koplik, në Dobraç. Në Spitalin Rajonal Shkodër ndërroi jetë Bashkim Basha. I plagosur rëndë, për fat të keq nuk mundi t’iu mbijetonte plagëve nga përplasja me makinën e Hamza Licit e Arlind Bushatit, shënjestrat e masakrës.
Pasi u qëllua me breshëri automatiku, vëllai i të kërkuarit Ibrahim Lici humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me motorin ku 67 vjeçari udhëtonte me bashkëshorten, Flutura Basha 56 vjeçe, e cila ashtu si 23 vjeçari Hamza Lici humbi jetën në vendngjarje ndërsa Arlind Bushati 32 vjeç, në spital. Me vdekjen e shtetasit Bashkim Basha, ngjarja tronditëse e të mërkurës së kaluar u mbyll me katër të vrarë.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se “nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, grupi i posaçëm hetimor po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”.
Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Shkodër-Koplik, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në automjetin e djegur të autorëve, uniformat blu zbuluan dy kallashnikovë ndërsa në makinën me të cilën lëviznin dy viktimat, Lici e Bushati u zbuluan tre armë zjarri, të treja pistoleta.
Një ditë pas masakrës, më 31 tetor, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha reagoi në lidhje me atentatin në Dobraç e në një prononcim për gazetarët, theksoi se “policia po punon me kapacitete të plota për të zbardhur rrethanat e ngjarjes” dhe vuri në dukje se në Shkodër u dërguan “ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale”. Po ashtu, ministri nënvizoi se “kapacitetet e Policisë së Shtetit janë duke u rritur për të përballuar situata të tilla”, duke siguruar një përgjigje “më efikase ndaj ngjarjeve makabre”.