Atentat në Tiranë, vritet me silenciator Klajdi Prendi. 28 vjeçari u ekzekutua pak pas mesnatës në zonën e Xhamllikut në kryeqytet ndërsa pranë Liqenit të Farkës u gjet një automjet i djegur tip “Audi” me targa të huaja e që dyshohet se iu përket autorëve. Viktima, djali i ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Fran Prendi, u ekzekutua kur sapo kishte dalë nga një lokal e po hynte në makinë dhe duket se është mbajtur nën vëzhgim.
Për vrasjen e ndodhur në rrugën “Xhanfize Keko”, 36 minuta pas mesnate, policia raporton se Prendi u transportua në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë.
Në njoftimin paraprak të policisë thuhet:
Më datë 19.11.2024, rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko”, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri shtetasi K.P., rreth 30 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”.
Ky është i dyti atentat mafioz që trondit Tiranën në pak ditë. Më 14 nëntor u ekzekutua me një plumb në kokë biznesmeni Eduart Reçi, në sheshpushimin e pallatit, pronë e tij. 52-vjeçari u qëllua nga distanca me pushkë me dylbi. Kjo ngjarje ende mbetet mister dhe grupi hetimor nuk ka një pistë konkrete sa iu përket motiveve.