Ish-presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi se një plumb e goditi në njërin vesh pasi dikush e qëlloi gjatë një tubimi në qytetin Batlër të Pensilvanisë. FBI-ja ka marrë në dorë hetimin.
Agjentët specialë të zyrës së FBI-së në Pitsburg u përgjigjën menjëherë, njoftoi FBI-ja, disa orë pas atentatit të dyshuar.
Presidenti Joe Biden, zv.presidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Barack Obama publikuan deklarata të forta duke dënuar dhunën. Ngjarja po hetohet si atentat dhe mund të intensifikojë e të komplikojë më tej garën presidenciale të 5 nëntorit.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij të mediave sociale, Trump konfirmoi se autori i sulmit u vra, ashtu si edhe një pjesëmarrës në tubim.
Po qarkullon një video ku shfaqet trupi i pajetë i agresorit të dyshuar, i shtrirë në pjesën e sipërme të një ndërtese:
Dy persona të tjerë janë plagosur, referuar një deklarate të Shërbimit Sekret, të cilin Donald Trump e falënderoi, ashtu si dhe autoritetet e zbatimit të ligjit, për punën e tyre.
Çka është më e rëndësishme, dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjen e personit që u vra, si dhe për familjen e një personi tjetër që u plagos rëndë. Eshtë e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë.
Në veshin e djathtë dhe në fytyrën e ish-presidentit dalloheshin shenja gjaku pas atyre që u dukën se ishin të shtëna e që vinin nga një drejtim i panjohur. Kur po largohej, Trump ngriti një grusht drejt turmës, e cila thërriste: “SHBA, SHBA!”.
Sulmi erdhi pas një dite të ngjeshur fushatash për Trump-in dhe presidentin Joe Biden në garën presidenciale të 2024-ës. Zyrtarët e fushatës së ish-presidentit thanë se ai ishte mirë me shëndet.
Presidenti Trump falenderon forcat e rendit dhe reaguesit e parë për veprimin e tyre të shpejtë gjatë këtij akti të urryer, u shpreh zëdhënësi Steven Cheung në një deklaratë. Ai është mirë dhe u kontrollua në një qendër mjekësore lokale. Më shumë detaje do të jepen në vazhdim.
Shërbimi Sekret Amerikan njoftoi se “ish-presidenti ishte jashtë rrezikut për jetën” dhe se çështja tashmë ishte nën hetim aktiv. Po kështu, shtoi se informacione të mëtejshme do të publikohen kur të jenë të disponueshme.
Sulmi ndaj Trump-it ishte përpjekja më serioze për të vrarë një president ose kandidat presidencial që nga atentati ndaj Ronald Reganit në vitin 1981. Ky atentat vjen në një atmosferë thellësisht të polarizuar politike, vetëm katër muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe disa ditë përpara se Donald Trump të marrë zyrtarisht emërimin si kandidati i partisë së tij në Kuvendin Republikan. Fushata e ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë theksoi se Kuvendi do të mbahej siç ishte planifikuar.