Sot i ftuar në emisionin “Pardon My French” ka qenë artisti Mal Retkoceri. Në Dhjetor 2023, ai mori pjesë në Festival me këngën “Çmendur”. Kjo ishte pjesëmarrja e parë e tij në këtë festival dhe njëherësh “Çmendur” është edhe debutimi i tij i parë në muzikë. Pas fitores, Mali ka treguar për herë të parë edhe mesazhin që ka kënga e tij, duke zbuluar se kënga i dedikohet nënës së tij, në fakt, siç thotë ai, kjo këngë është vetëm një pjesë e vogël e asaj çfarë ka kaluar nëna e tij.
A është kuptuar i gjithë mesazhi që ai ka dashur të përcjellë me anë të projektit të tij muzikor tek publiku?
Mesazhi i këngës, kujt ia kam dedikuar dhe të gjitha këto janë kuptuar prej publikut dhe të gjithëve. Nëse nuk do të kisha fituar asnjë çmim ndoshta nuk e kisha treguar kurrë.
Nga u inspirua ai për pamjen në Festival?
Kam dashur që të jetë diçka që të ketë edhe elemente femërore, kjo ka qenë ideja pasi i është përshtatur temës, tekstit, këngës. Është lidhur gjithçka me tekstin dhe temën.
Përveç komenteve pozitive si i ka pritur Mali kritikat?
Është e vërtetë që është shumë e lehtë për të gjykuar një person kur performon. Është e vërtetë që performanca ishte pak e çmendur. Ka pasur persona që ndoshta nuk e kanë kuptuar, ka pasur persona që thjesht kanë dashur të shprehin komente negative për arsye se atë natyrë kanë nuk është se kanë bërë diçka më shumë me jetën e tyre dhe thjesht duan që të ulin tjetrin që po mundohet të ketë një sukses të tij.
Ai zbuloi gjithashtu se po punon për projekte të reja të cilat dëshiron t’i sjellë shumë shpejt për publikun dhe gjithashtu ndër të tjera shtoi se ai ka dëshirë që të sjellë Eurovisionin në vendin tonë.