Agjencia e lajmeve Associated Press i ka kushtuar një artikull ngjarjeve të sotme në Parlament, ku deputetët e opozitës vijuan aksionin e tyre pasi u përjashtuan nga seancat plenare si pasojë e ngjarjeve të së hënës.
Deputetët e opozitës shqiptare protestuan të enjten në Parlament, duke djegur manekinë dhe duke u përleshur me truprojat, pasi një nga kolegët e tyre u dënua për shpifje dhe u burgos, shkruan AP.
Ligjvënësit demokratë, të cilët kishin bërë thirrje për bojkot të seancës së së enjtes, u përpoqën të bllokonin kolegët e tyre nga Partia Socialiste në pushtet që të hynin në sallë.
Ata po protestonin për burgosjen e Ervin Salianjit, i cili në vitin 2018 kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm të atëhershëm për akuzat për veprimtari të paligjshme të vëllait të tij. Salianji, i cili filloi të vuante një vit dënim javën e kaluar, ka apeluar dënimin e tij në Gjykatën e Lartë.
Demokratët ndërprenë të hënën një seancë parlamentare, duke thënë se dënimi i Salianjit ishte i motivuar politikisht dhe duke bërë thirrje për protesta në kryeqytet, duke filluar nga java e ardhshme. 24 demokratë u dënuan për aktet e tyre me pezullim nga 10 deri në 60 ditë.
Të enjten, demokratët u përleshën me truprojat dhe dogjën katër manekinë të socialistëve në pushtet, duke përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Pas dështimit për të hyrë në sallë, deputetët e opozitës përfunduan protestën e tyre dhe menjëherë pas kësaj, homologët e tyre socialistë përfunduan seancën dhe u larguan.
Opozita ka bërë thirrje për një protestë kombëtare të hënën e ardhshme në Tiranë, duke u bërë thirrje mbështetësve të saj të marrin pjesë në mosbindje civile.
Demokratët kanë akuzuar prej kohësh socialistët e Ramës për uzurpim të pushtetit, përfshirë drejtësinë, dhe kanë organizuar protesta kundër qeverisë që nga viti 2013.
Sakaq, Rama po i nënshtrohet një operacioni për një hernie inguinale në QSUT, ku pritet të kalojë natën, tha zyra e tij të enjten.
Rama, 60 vjeç, ka udhëhequr socialistët që nga viti 2005 dhe tani është në mandatin e tij të tretë si kryeministër, duke shërbyer në këtë rol që nga viti 2013.
Shqipëria zhvillon zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar opozitës të rifillojë dialogun me qeverinë, duke thënë se dhuna nuk do ta ndihmojë vendin të integrohet në bllokun evropian.
Në vitin 2020, BE vendosi të nisë negociatat e anëtarësimit të plotë me Shqipërinë dhe në fund të këtij muaji Tirana do të nisë diskutimet me bllokun për mënyrën se si do të përafrohet me shtetin e së drejtës, funksionimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit.