Një udhërrëfyes në Nepal tashmë mund të konsiderohet një rekordmen i vërtetë, pasi ngjiti për të 26 herë malin Everest, diçka që nuk e ka bërë askush më parë dhe që vështirë se mund ta arrijë. 52-vjeçari, Kami Rita u ngjit në malin 8,848 m së bashku me 10 persona të tjerë përgjatë shtegut tradicional, në juglindje të masivit shkëmbor.
Kreu i departamentit të turizmit në Katmandu u shpreh se:
Kami Rita theu tashmë rekordin e tij dhe vendosi një të ri që askush në botë nuk mund ta arrijë.
Rruga që ndoqi Kami Rita u hap për herë të parë nga neozelandezi Edmund Hillary dhe alpinisti vendas Tenzing Norgay në vitin 1953 dhe që nga ajo kohë është një ndër më të ndjekurat. Gjatë këtij viti Nepali ka dhënë 316 leje për t’u ngjitur në Everest përgjatë muajit maj, që është dhe më i përshtatshmi, krahasuar me 408 leje që u dhanë vitin e kaluar.
Jeta e Kami Ritës ka qenë e lidhur me malin që në fëmijëri. Babai i tij, Mingma Tshering Sherpa, ishte një nga udhërrëfyesit e parë profesionistë në Everest kur Nepal filloi të lejonte alpinistët ndërkombëtarë në vitin 1950 dhe Kami Rita kishte punuar duke transportuar pajisje në kampin bazë të Everestit që kur ishte 12 vjeç.