Rreth 1.6 milion banorë të Kosovës besohet se kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, sipas Agjencisë së Statistikave (ASK). Në të mëparshmin e mbajtur në vitin 2011, patën marrë pjesë rreth 1.74 milion banorë, pra ka një rënie e kjo do të thotë se popullsia në Kosovë besohet të ketë rënë me rreth 8%. Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, sot në konferencën për media, deklaroi:
Ne e dimë të gjithë që ka tkurrje [të popullsisë], por ka edhe ndryshim edhe brenda Kosovës. Disa qytete janë rritur në mënyrë enorme, ndërsa disa janë zvogëluar.
Në dallim nga regjistrimi paraprak, këtë vit, diaspora e Kosovës pati mundësinë që të mund të regjistrohej online, përmes portalit eKosova. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) bëri të ditur se tani, ky proces është zgjatur deri në fund të muajit gusht.
Sipas të dhënave të ASK-së, deri tani besohet se do të jenë rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës, të cilët nuk janë përfshirë në shifrën prej 1.6 milion banorësh e që mendohet se jetojnë në Kosovë. Qeveria e Kosovës e zgjati me 7 ditë procesin e regjistrimit që nisi më 5 prill e duhej të përfundonte më 17 maj. Nga disa komuna pati kërkesa për një zgjatje të afatit.
Kastrati u shpreh i kënaqur me procesin e regjistrimit dhe ka theksuar se janë plotësuar të gjitha parimet ndërkombëtare për procese të tilla.
Në përgjithësi, të gjitha komunitetet në Kosovë kanë qenë të hapura dhe po ashtu, kanë qenë në favor të regjistrimit të popullsisë. Pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka qenë masive, përveç komunitetit serb në katër komunat në veri, që kanë marrë pjesë pjesërisht.
Kastrati shtoi:
Janë mbajtur tri herë trajnime për regjistrues nga komuniteti serb, meqë disa kanë dhënë dorëheqje, pas nisjes së procesit. Për pasojë, disa shërbime institucionale nuk do të mund t’iu ofrohen qytetarëve që nuk kanë qenë pjesë e procesit të regjistrimit të popullsisë.
Më 5 prill, kur edhe zyrtarisht nisi regjistrimi, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar bëri të ditur qartazi se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë duke refuzuar.