Aktualitet

Asgjësohen rreth 25 mijë bimë cannabis në Velipojë, tre në kërkim!

Ndërsa vijon intensivisht megaoperacioni policor kombëtar i koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, burime zyrtare njoftojnë se nga kontrollet intensive të territorit, në fshatin Rrjoll të Velipojës, te vendi i quajtur “Maja e Zezë” u asgjësuan rreth 25 mijë bimë cannabis sativa. Uniformat blu identifikuan e shpallën në kërkim tre vëllezër, të dyshuar si autorë të kultivimit. Po ashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për dy punonjës të OSHEE-së, të dyshuar për “Shpërdorim detyre” se nuk konstatuan lidhjen e paligjshme të energjisë të krijuar për këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të megaoperacionit kombëtar policor, të koduar “Territor i pastër”, u evidentua dhe u godit një rast tjetër i kultivimit të bimëve narkotike në Velipojë.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe me Komisariatin e Shkodrës, në fshatin Rrjoll, në vendin e quajtur “Maja e Zezë”, gjetën dhe asgjësuan 24 759 bimë cannabisi. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve profesionale policore:

– U identifikuan dhe u shpallën në kërkim autorët e dyshuar të rastit, shtetasit M. N., 30 vjeç, P. N., 36 vjeç, dhe L. N., 32 vjeç, të tre banues në fshatin Rrjoll;

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit T.SH, 61 vjeç dhe P.M, 61 vjeç, të dy banues në Velipojë, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk kanë konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike që ishte krijuar për këtë veprimtari kriminale.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.

Reagoi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla:

Policia e Shtetit vijon kontrollet në të gjithë territorin e vendit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Ministri e nxiti Policinë e Shtetit në të gjitha qarqet, të rrisë fuqinë goditëse ndaj këtij aktiviteti kriminal.