Aktualitet

Asgjësohen mbi 6 mijë bimë kanabis në Shkodër, Kukës dhe Vlorë!

Policia e Shtetit njofton se ka vijuar kontrollet në të gjithë territorin në kuadër të megaoperacioni kombëtar antikanabis i koduar “Territor i pastër”. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se si rezultat i kontrolleve, në qarqet Shkodër, Kukës dhe Vlorë u gjetën e asgjësuan 6 mijë e 65 bimë kanabis.

Në njoftimin zyrtar thuhet:

Gjatë operacionit u identifikuan 4 autorë të kultivimit të bimëve narkotike në Selenicë dhe u proceduan penalisht 2 kryepleq fshatrash dhe 2 inspektorë pyjesh, për shpërdorim detyre dhe për moskallëzim krimi.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë kanë gjetur në fshatin Mazhar, 741 bimë narkotike në proces tharjeje. Policia ka identifikuar 4 shtetas (vëllezër), autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve, dhe po punon për kapjen e tyre. Gjithashtu, ka nisur procedimi penal për kryeplakun e fshatit Mazhar dhe për inspektorin e pyjeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Has kanë gjetur në fshatin Zahrisht, 1570 bimë narkotike. Për këtë rast janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit dhe për inspektorin e pyjeve, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Shërbimet e DVP Shkodër kanë gjetur në njësitë administrative Postribë dhe Toplanë, 3754 bimë narkotike.

Strukturat hetimore të drejtorive vendore të Policisë Vlorë, Shkodër dhe Kukës, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.