Aktualitet

Asgjësohen mbi 5 mijë bimë kanabis në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër!

Policia e Shtetit ka vijuar kontrollet intensive në të gjithë vendin, në kuadër të megaoperacionit kombëtar antikanabis të koduar “Territor i pastër”. Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë zbuluar dhe asgjësuar gjithsej 5 396 fidanë dhe bimë kanabis sativa në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Shkodër.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë operacionit janë identifikuar tre shtetas të dyshuar për kultivimin e bimëve narkotike në Lezhë dhe Elbasan. Dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa për të tretin po vijon puna për kapjen e tij.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre kryetarët e fshatrave Gëziq dhe Vinjoll në qarkun Lezhë, dy inspektorë pyjesh të zonave, si dhe kryetari i fshatit Bodin në Elbasan.

Në vijim të kontrolleve të mbështetura nga inteligjenca policore, janë zbuluar disa raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike, konkretisht:

– Në pyllin e fshatit Gëziq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë zbuluan një hapësirë të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. U gjetën 500 fidanë kanabis në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë, të cilët u asgjësuan nga Policia. Për këtë rast u arrestua shtetasi M. Gj., 35 vjeç, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, P. Gj., 32 vjeç. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për kryetarin e fshatit Gëziq, Gj. B., 63 vjeç, dhe specialistin e pyjeve për zonën e Gëziqit, P. Ç., 65 vjeç.

– Në fshatin Vinjoll, Kurbin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin gjetën dhe asgjësuan me djegie 288 bimë narkotike cannabis sativa. Për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarin e fshatit Vinjoll, I. B., 52 vjeç, dhe inspektorin e pyjeve në fshatin Vinjoll, M. Gj., 36 vjeç.

– Në terrenin malor të fshatit Bodin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan gjetën 29 bimë narkotike cannabis sativa. U arrestua autori i dyshuar, F. B., 44 vjeç. Gjithashtu, u proceduan penalisht kryetari i fshatit Bodin për shpërdorim të detyrës dhe xhaxhai i të arrestuarit për moskallëzim të krimit. Në njësitë administrative Shalë, Pult, Postribë dhe Temal, shërbimet e DVP Shkodër gjetën dhe asgjësuan 4167 fidanë dhe 412 bimë narkotike cannabis sativa.

Policia e Shtetit njofton se strukturat hetimore të drejtorive vendore të Policisë Shkodër, Lezhë dhe Elbasan, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.