Lifestyle

Asgjë nuk është e pamundur, studimi i fundit pohon se hormonet e lumturisë mund të kontrollohen!

Qëllimi kryesor që kemi të gjithë në jetën tonë është të jemi të lumtur. Megjithëse ka teori që thonë se lumturia nuk ekziston, ka vetëm copëza lumturie, ka të tjerë që lumturinë e lidhin me një nocion të së shkuarës, ose mendojnë se “dikur ishim të lumtur”. Por, studiuesit e fushës kanë treguar se megjithatë ekziston një periudhë në të cilën njeriu arrin kulmin e lumturisë. Ata tregojnë se mosha që do të ndihemi më tepër të lumtur do të jetë ajo 33-vjeçare.

Lumturia në aspektin shkencor është një reaksion kimik që ndodh në tru. Hormoni përgjegjës për lumturinë quhet dopaminë dhe çlirohet sa herë na ndodh diçka e bukur në jetën tonë. Pra duket më shumë si një lidhje shkak-pasojë ku truri ndihet i lumtur vetëm në disa situate të caktuara, njësoj siç ndodh edhe me ndjenja të tjera të inatit apo trishtimit. Megjithatë studiuesit kohët e fundit po mundohen të vërtetojnë një tjetër tezë.

Atë të kontrollimit të hormonit të lumturisë pa pasur nevojën e ngjarjeve të lumtura. Studiuesit e Universitetit të San Diegos në Kaliforni po studiojnë çlirime spontane të dopaminës që ndodhin tek minjtë. Teza e tyre e publikuar në revistën “Curren Biology” së fundmi tregon se minjtë mund ta kontrollojnë lumturinë sipas dëshirës së tyre. Ndryshe nga ajo çfarë njohim në përditshmëri, lumturi si pasojë e një ngjarje, këto kafshë të vogla arrijnë ta prodhojnë dopaminën në momentin që ato vendosin ta bëjnë këtë.

Studiuesit thonë se minjtë e marrë në studim në të vërtetë janë të vetëdijshëm për stimulimin e këtij hormoni dhe janë të aftë ta përshpejtojnë prodhimin e tij. Sipas tyre kjo gjetje hap një dimension të ri në studimin e dinamikave të trurit edhe tek njerëzit. Ata synojnë ta zgjerojnë akoma më shumë këtë studim për të eksploruar se si kontrollimi i dopaminës mund të ndikojë në vendime që marrim në përditshmëri. Këtu futen sjelljet dhe interaktiviteti në shoqëri dhe mënyra se si ne perceptojmë lumturinë. Në këtë përpjekje të tyre për të kontrolluar dopaminën, studiuesit shpjegojnë se ajo nuk lind në mënyrë fare spontane, por mund zhvillohet gjatë proceseve të përditshme.