Rajoni

Asambleja Parlamentare e NATO-s, sot vendimi mbi avancimin e statusit të Kosovës!

Asambleja Parlamentare e NATO-s sot zhvillon ditën e tretë e të fundit të sesionit pranveror, në Sofje të Bullgarisë. Pjesë e axhendës edhe Kosova. Gjatë sesionit, 281 anëtarë të Asamblesë Parlamentare nga 32 vende të NATO-s, bashkë me rreth 100 anëtarë nga 25 vende partnere e organe parlamentare po trajtojnë temat kryesore në axhendën euroatlantike të mbrojtjes e të sigurisë, duke u fokusuar në mbështetjen për Ukrainën dhe prioritetet për Samitin e NATO-s të muajit korrik, në Uashington.

Takimi në vitin e 75-vjetorit të NATO-s shënon sesionin e parë të AP-së së NATO-s ku parlamentarët suedezë marrin pjesë si anëtarë të plotë. Diskutimet do të shtrihen edhe në partneritete. Asambleja Parlamentare e NATO-s pritet të miratojë një reformë të thellë të partneriteteve e të vendosë për kërkesat e Kuvendit të Kosovës e të Maltës për t’u bërë delegacione anëtare të asociuara.

Në Ballkanin Perëndimor, sfidat e vazhdueshme trajtohen bashkë me strategjitë për të mbështetur partnerët në rrezik e për të rritur angazhimin me Jugun Global. Këto diskutime nënvizuan përkushtimin e Asamblesë për stabilitet në rajonet kyçe me interes strategjik, si dhe për nxitjen e dialogut më të gjerë mbi sfidat globale.

Me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe me zyrtarë e të tjerë ekspertë kryesorë, anëtarët e AP-së të NATO-s shkëmbyen e po shqyrtojnë draft-raportet nga pesë Komitetet e Asamblesë e do të miratojnë rekomandimet kryesore të politikave.

Përveç kësaj, nga përfaqësues të lartë të qeverisë bullgare, anëtarët dëgjuan mbi prioritetet e Bullgarisë e kontributin në NATO, si dhe festojnë 20-vjetorin e pranimit të shtetit bullgar.

Asambleja po përsërit qëndrimin e vendosur për luftën e pajustifikuar, të paprovokuar, brutale të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe mbështetjen e saj të palëkundur për demokracinë, pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, vetëmbrojtjen e vetëvendosjen e Ukrainës, për sa kohë i duhet Ukrainës për të fituar.

Asambleja trajton edhe zbatimin praktik të planeve të reja të mbrojtjes së NATO-s, pozicionin në zhvillim të NATO-s për mbrojtjen ajrore e raketore, si dhe përmbushjen e detyrimeve të shteteve anëtare në lidhje me shpenzimet e mbrojtjes e ndarjen e barrës.

Tema të tjera përfshijnë sfidat e Kinës dhe partneritetet ekonomike e të sigurisë në Azi, sigurinë në rajonin e Detit të Zi, sfidat dhe mënyrat si aleatët duhet të rregullojnë e përdorin teknologjitë e reja dhe ato në zhvillim, mes tyre Inteligjencën Artificiale, sigurinë njerëzore, përfshirë mbrojtjen e civilëve dhe trashëgimisë kulturore në konflikt e luftën kundër dezinformimit.