Health & Beauty Lifestyle

As rrudha të imëta e as lëkurë të thatë, ja si të kujdeseni në mënyrën e duhur për fytyrën gjatë dimrit!

Me dimrin, vijnë edhe plot kërcënime, sidomos për lëkurën dhe trupin. Temperaturat e ulëta, ajri i ftohtë, dalja jashtë shtëpisë qoftë edhe për një blerje në dyqan duket shpesh si një betejë e vështirë.

Pavarësisht veshjeve të ngrohta nga palltot, dorashkat dhe çizmet, ekziston një pjesë e trupit tuaj që mund të ekspozohet ndaj elementeve të ashpra të muajve të ftohtë dhe kjo është fytyra. Duket se nuk janë vetëm muajt me diell të verës që bëjnë namin në lëkurën tuaj, dimri mund të jetë i ashpër edhe për lëkurën tonë.

Moti i ftohtë dhe rënia e niveleve të lagështisë çon në një lëkurë të thatë që nuk është në gjendje të mbajë lagështinë. Kjo është edhe arsyeja pse lëkura juaj bëhet më e ashpër në dimër. Lëkura e thatë dhe e plasaritur do të thotë njëherësh që rrudhat e imta do të bëhen më të dukshme. Të themi të vërtetën, nuk është vetëm lëkura e fytyrës që ndikohet nga ndryshimi i motit, edhe zona të tjera të trupit si duart dhe këmbët duan shumë kujdes. Përveç motit dhe temperaturave të ulëta në dimër, disa nga zakonet e jetesës gjatë këtij sezoni ndikojnë në moshimin e lëkurës.

Dimri është sinonim i festave për shumicën e njerëzve. Kjo jo vetëm që do të thotë ushqime me sheqer që mund të çojnë në plakje të parakohshme të lëkurës, por edhe konsumim të alkoolit që dehidraton më tej lëkurën e thatë. Sipas dermatologes Jennifer Peterson, një shqetësim tjetër në muajt e dimrit ka të bëjë me sapunët që përdorni dhe veshjet e trasha që duhen për të përballuar të ftohtin.

Lëkura që tashmë e ka të vështirë të mbajë lagështinë për shkak të temperaturës së ftohtë mund të irritohet nga sapunët, leshi dhe veshje të tjera me teksturë të ashpër. Por çfarë duhet të bëjmë? Përveç kujdesit të asaj që hani dhe pini gjatë dimrit, kujdesuni edhe për teksturën e veshjeve, sapunin që përdorni etj.