Të gjithë ata që u mërzitën që nuk e panë teksa performonte në “Sunny Hill Festival” artisten e njohur Dua Lipa, do të kenë mundësinë ta shohin këngëtaren shumë shpejt, pasi ajo do të performojë në Tiranë më 28 Nëntor, ashtu siç kishte premtuar. Me anë të një videoje në llogarinë e saj në Instagram, artistja thotë, në anglisht dhe shqip, se do të jetë për festën e Pavarsisë në kryeqytet, ku do të mbahet edhe koncerti i fundit i turneut të saj “Future Nostalgia”. Dua shprehet e emocionuar:
Mezi po pres t’ju shoh më 28 Nëntor për Ditën e Flamurit dhe për 110-vjetorin e Pavarësisë. Ju dua shumë.
Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa mori sot nënshtetësinë shqiptare nga presidenti Bajram Begaj, i cili vlerësoi talentin e saj, shpirtin artistik si dhe angazhimin në mbështetje të kauzave sociale. Presidenti u shpreh:
Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë.
Dua Lipa do të performojë nesër në sheshin Skënderbej për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshi këtu edhe tre çmime Grammy. Ndjeshmëria e saj për çështjet sociale në vende të ndryshme të botës e ka angazhuar Dua Lipën pranë UNICEF-it, në mbështetje të fushatave për të drejtat e fëmijëve.
Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, Lipa u kërkoi adhuruesve të saj mbështetje dhe donacione si dhe organizoi një fushatë të mbledhjeve të fondeve bashkë me stilistë shqiptarë, të ardhurat e të cilës shkuan për familjet e viktimave të tërmetit.