E ftuar në studion e “Live from Tirana” ishte artistja e tatuazheve Elena Papajovan për të folur rreth kujdesit që ne duhet të tregojmë ndaj tatuazheve në stinën e verës, si dhe trendet e fundit. Por a këshillohet të bësh tatuazhe në verë?
Mendoj se ato mund të bëhen në çfarëdo lloj periudhe, për sa kohë je i vetëdijshëm se si të kujdesesh për to. Varet shumë nga aktiviteti që ti bën dhe sa të ekspozon. Nëse ke një punë zyre, do të thotë që nuk je i ekspozuar ndaj diellit, kështu që është më e lehtë për ty ta bësh. Nëse ekspozoheni, sidomos nga dielli, uji i kripur, uji i pishinave dhe djersa, është mirë mos ta bëni nëse nuk shkëputeni dot nga ato.
Si duhet t’i mirëmbajmë tatuazhet?
Duhet ta mbani të pastër dhe të hidratuar gjatë gjithë kohës. Shumica e njerëzve mendojnë se tatuazhi mbaron kur artisti mbaron punën, gjë që nuk është e vërtetë. Ai mbaron kur lëkura është e shëruar. Tatuatori duhet t’ju japë një qese që shërben si lëkurë e dytë dhe në varësi të çfarë qeseje vendoset, ka procese të ndryshme heqjesh. Lëkura e dytë hiqet me ujë dhe kërkon larje të kujdesshme. Mbas saj, thahet dhe vendoset kremi. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm sepse lëkura duhet të hidratohet, gjë që kremi e ndihmon. Në rast se nuk bëhet siç duhet, lëkura do të nxjerrë bojën e tepërt sepse ajo shërohet si plagë.
Duhet të ruhemi më pas nga dielli?
Mbas periudhës së shërimit dy javore të jashtëm dhe të dukshëm të lëkurës, boja është e ekspozuar. Kjo bën që pigmenti të dëmtohet, për shembull ai i errët të zbehet nëse ekspozohet. Vendos çfarë kremi përdor për fytyrën, me SPF, sipër tatuazheve për t’i mbrojtur.
A ka trende këtë vit për tatuazhet?
Trendet janë momentale, hyjnë fuqishëm dhe ikin pa zë. Gjithmonë do të ketë trende. Nëse në fillim kanë qenë format shumë të guximshme, me ngjyra të ndritshme tipike të stileve tradicionale, tani është ‘fine line’ dhe mikrorealizmi, kjo e fundit të bësh sa më shumë imazhe të vogla afër njëri-tjetrit. Për shembull, dikur ishin fluturat për vajzat, që jam shumë e lumtur ta shoh të larguar si një trend. Mendoj se ka gjëra më interesante për të bërë. Megjithatë, dëshiroja që njerëzit të kuptonin se tatuazhet janë shumë personale. Mos kopjoni kurrë dikë tjetër, sepse edhe nëse iu shkon mirë atyre, nuk do të thotë që do t’ju rri mirë ju.
Çfarë lloj tatuazhesh bëjnë më shumë çiftet?
Trendi i fundit janë tatuazhet e ngjashme. Mendoj se janë shumë të lezetshme, më pëlqejnë që tregojnë një histori dhe moment të jetës së tyre. Përpiqem që me klientë të tillë të flas dhe t’iu jap sugjerime se çfarë mund të bëjnë. Tatuazhet janë personale, e di këtë, por do t’ju lutesha, ju lutem jo më me emrat. U ka kaluar koha kur dukeshin interesante dhe të veçanta. Mund të bëni gjëra më të lezetshme. Si për shembull, koordinatat e një vendi specifik.
Cilat janë disa mite rreth tatuazheve?
Ai më koti, mendoj, është helmimi i gjakut. Dua që njerëzit të kuptojnë se industria e tatuazheve ka shumë vite që i ka qëndruar tregut dhe është shumë e sigurt, që nga mënyra e prodhimit të bojës e deri tek gjilpëra. Zgjidhni një artist të mirëfilltë dhe mos kini frikë. E vetmja gjë që është e rrezikshme janë tatuazhet e mëdha. Në momentin që punohet, është një plagë e madhe në të gjithë trupin dhe nëse nuk ruhet ose ruhet keq, ka rrezik infeksioni. Në këto raste, nuk është e këshillueshme të dhuroni gjak sepse trupi mund të jetë duke luftuar infeksionin.