UEFA i ka kushtuar një artikull special investimit më të madh në historinë e sportit shqiptar, stadiumit “Air Albania”. Impakti që pati ndërtimi i tij si nga aspekti sportiv, por edhe ai social e ekonomik është në fokus të artikullit që UEFA i ka kushtuar stadiumit “Air Albania”, ku pjesë janë edhe Presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti.
Stadiumi “Air Albania” i ndërtuar nga fondet e FSHF-së dhe nga programi HatTrick i UEFA-s ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm te Kombëtarja shqiptare që siguroi edhe pjesëmarrjen për herë të dytë në Europian.
UEFA thekson se stadiumi “Air Albania”, i inauguruar në vitin 2019, është kthyer në një fortesë e pamposhtur për kuqezinjtë që gjatë kualifikueseve arritën 3 fitore dhe një barazim, 7 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar në shtëpi.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë prononcimit të tij për UEFA-n në lidhje me investimin gjigant të stadiumit “Air Albania” theksoi se ka ndikuar në performancën e ekipit Kombëtar dhe mbështetja e madhe nga tifozët është kthyer në një makth për çdo skuadër kundërshtare.
Ambientet moderne dhe mjedisi profesional kanë rritur ndjeshëm moralin dhe performancën e lojtarëve. Ambientet e nivelit të lartë stërvitor të stadiumit kanë mundësuar përgatitje dhe rikuperim më efektiv, ndërsa mbështetja pasionante në shtëpi ka krijuar një atmosferë frikësuese për ekipet kundërshtare, duke u ofruar lojtarëve tanë një avantazh psikologjik.
UEFA thekson se stadiumi në zemër të Tiranës, është shumë më tepër se një terren sportiv. Është një simbol i planit strategjik të FSHF-së për zhvillimin e infrastrukturës kombëtare të futbollit dhe një katalizator për rigjallërimin e ekonomisë vendase, gjë që konfirmohet edhe nga presidenti Duka.
Ndërtimi i stadiumit “Air Albania” ishte një hap vizionar që synonte transformimin e peizazhit të futbollit shqiptar. Është gjithashtu një pjesë kyçe e strukturës kulturore dhe sociale të qytetit, e rëndësishme për rigjallërimin e komunitetit lokal në Tiranë.
UEFA shton se gjatë fushatës kualifikuese për “EURO 2024” stadiumi “Air Albania” ishte i tejmbushur dhe rritja e të ardhurave ka hapur një cikël të ri investimesh për FSHF-në.
Suksesi i ekipit tonë Kombëtar, i mishëruar nga arritjet e tyre në stadiumin “Air Albania”, shërben si një frymëzim i fuqishëm për futbollistët e të ardhmes në të gjithë vendin. Ne kemi ndërmarrë iniciativa të shumta për të përfituar nga ky moment, duke përfshirë programet e futbollit të bazës, partneritetet me shkollat dhe akademitë. Duke krijuar shtigje dhe mundësi të reja, ne synojmë të nxisim një brez të ri entuziast për futbollin, deklaroi Duka.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, në prononcimin për UEFA-n rrëfen se infrastruktura është shumë e mirë dhe përmban gjithçka që i duhet një skuadre për të performuar në fushë.
Ka gjithçka që i duhet një skuadre për të performuar në fushë. Infrastruktura është më e mirë, duke e bërë shumë më të lehtë për ne dhe për tifozët të shpërndajnë energjinë dhe mbështetjen e tyre. Është sikur kemi një lojtar të 12-të që na motivon dhe na shtyn përpara. Ka luajtur një rol të madh në rrugëtimin tonë.
Në fund UEFA shton:
Stadiumi “Air Albania” priti finalen e parë historike të UEFA Europa Conference League në vitin 2022, duke u dhënë mijëra njerëzve mundësinë të përjetojnë një finale të madhe të futbollit europian në vendin e tyre. Qindra të tjerë u përfshinë si vullnetarë, duke hedhur themelet për krijimin e një programi vullnetar të futbollit nga FSHF.