Aktualitet

Arti në zi, shuhet aktori i njohur/Lamtumirë Lutfi Hoxha!

Aktori i njohur, Lutfi Hoxha ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare në Durrës, qytetin ku jetoi dhe për të cilin kontribuoi në janar të vitit 1953 kur ende 18-vjeç ishte mes themeluesve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar. Në hollin e këtij teatri, nesër do të mbahen homazhe.

Qofsh i dritës engjëll i mirë e i bardhë. Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga gjiri ynë artistik i xhevahirit të fundit të plejadës së artë të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Lutfi Hoxha e jetoi këtë jetë në skenë, aty ku dha gjithçka.

I lindur më 1 qershor të vitit 1934, Lutfi Hoxha lë pas role të shumtë në dekada të tëra që kaloi në skenë e në sheshxhirime edhe pas daljes në pension në vitin 1989. Gjithnjë i vlerësuar për qytetarinë, profesionalizmin e pasionin për punën. Në karrierën e pasur numëron 100 role në teatër e 17 në kinematografi, ku për herë të fundit ishte pjesë e kastit te “Ne dhe Lenini”, realizim i vitit 2009. Në rolin e të moshuarit në një azil, Luti siç thërritej nga të afërmit e miqtë theu rekord si një prej aktorëve me karrierë më të gjatë të kinemasë.

Fillimisht intepretoi disa role në grupet amatore të kantierit detar, si dhe u shqua si kërcimtar me grupin e Pallatit të Kulturës.

Rolet në pjesët “Votra e huaj” e Ndrek Lucës; “Bileta e llotarisë” e Dionis Bubanit; “Prindër edukatorë” e Spiro Çomorës; “Martesa” e Gogolit; “I sëmuri imagjinar” i Molierit dhe te “Dredhitë e Skapenit” e bënë aktorin durrsak mjaft të dashur për spektatorin e teatrit.

Pas filmit “Detyrë e posaçme”, Lutfi Hoxha luan edhe te “Thirrja”, “Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Nata e parë e lirisë”, Valsi”, për të mbërritur te filmi “Ne dhe Lenini”.

Komedia “Martesa” e Gogolit mbetet në repertorin e teatrit gati dy dhjetëvjeçarë radhazi e ngjitet në skenë 270 herë, falë interpretit kryesor Nikolin Xhoja, por edhe falë mjeshtërisë së Lutfi Hoxhës në rolin e Stefanit e aktorëve të tjerë pjesmarrës Vangjel Heba, Vera e Spiro Urumi, Todi Thanasi, Teodor Rupi, etj.

Siç do të shprehej edhe në intervista, për të mosha ishte thjesht numër e se e ndjente veten të ri mes të rinjve artistë.