Berlinale, triumfon “Dahomey” i regjisores franceze-senegaleze, Mati Diop, për kthimin e artit të grabitur afrikan. Juria vendosi ta vlerësojë me “Ariun e Artë”. Çmimi kryesor iu dha si krijimi më i mirë i Festivalit të Filmit të Berlinit, Berlinale. Hera e dytë që një film dokumentar siguron “Ariun e Artë” të lakmuar të Berlinales.
41-vjeçarja Diop përshkruan rrugëtimin e 26 statujave, nga Franca për në vendin e tyre të origjinës, Benin. Thesaret e artit u grabitën nga Dahomey, i cili tani është Benini, në vitin 1892. Rezulton se në total, rreth 7 mijë vepra arti u vodhën rreth 130 vjet më parë dhe ende sot gjenden në Francë.
Të kthesh do të thotë të bësh drejtësi!
Kështu u shpreh Diop pas marrjes së çmimit.
Filmi dokumentar eksperimental i Diopit magjeps me pasazhe poetike.
Regjisori gjerman Matthias Glasner mori një “Ari të Argjendtë” për skenarin e dramës së tij “Dying” – çmimi i vetëm në konkurs për Gjermaninë. Në film, Glasner trajtoi marrëdhënien e tij komplekse me familjen. 59-vjeçari, fillimisht ishte i shqetësuar se drama mund të ishte shumë personale. Por, ajo preku shumë njerëz. Pas marrjes së çmimit deklaroi:
Ia vlente disi që të hapesh aq shumë sa të hapen edhe të tjerët.
Këtë vit, çmimi i madh i jurisë i Berlinales shkoi në Korenë e Jugut. Juria nderoi shfaqjen e çuditshme “Yeohaengjaui pilyo” (“Nevojat e një udhëtari”) nga regjisori veteran i Koresë së Jugut, Hong Sangsoo me Isabelle Huppert në rolin kryesor.
Rumuno-amerikani Sebastian Stan u shpall aktori më i mirë për interpretimin e tij në tragjikomedinë “A different man”.
Aktorja britanike Emily Watson mori çmimin për interpretimin më të mirë dytësor për rolin e saj në “Small Things Like These”.
Drama irlandeze-belge me yllin e “Oppenheimer”-it, Cillian Murphy hapi Berlinalen e këtij viti.
Francezi Bruno Dumont mori çmimin e Jurisë për parodinë fantastiko-shkencore “L’Empire”.
Nelson Carlos De Los Santos Arias fitoi “Ariun e Argjendtë” për regjisorin më të mirë për “Pepe”, një film eksperimental për një hipopotam të ngordhur në Kolumbi.
Kameramani austriak Martin Gschlacht u nderua për një arritje të jashtëzakonshme artistike. Ai mori çmimin për punën e tij në dramën historike “Des Teufels Bad” (“Banja e Djallit”).
Këtë vit, eventi u shënua veçanërisht nga debatet politike, duke përfshirë ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Regjisori palestinez Basel Adra i bëri thirrje Gjermanisë në skenë, që të ndalojë furnizimin me armë për Izraelin. Adra realizoi dokumentarin “No Other Land” me tre kineastë të tjerë dhe fitoi çmimin e filmit dokumentar për të.
Kolektivi izraelito-palestinez kishte bërë thirrje për një armëpushim në Gaza gjatë premierës së filmit në Berlinale.
“Nuk ka tokë tjetër” ka të bëjë me zhvendosjen e palestinezëve në fshatrat Masafer Yatta, në jug të Hebronit në Bregun Perëndimor. Së bashku me Kanën dhe Venecian, Berlinale është një nga festivalet më të mëdhenj të filmit në botë.