Këngëtarja e njohur Arta Kabashi ka qenë një nga personazhet që u pëlqye shumë këtë edicion në “Big Brother VIP Albania 3” për shkak të natyrës së saj të qetë dhe pozitive. Teksa ishte e ftuar në “Pushime On Top”, këngëtarja tha se po jeton një periudhë shumë të mirë, me shumë këngë të reja.
“Big Brother” m’i ka nxehur motorët dhe tani nuk kam të ndalur, jam pa pushim, në lëvizje. Është një koncept që, nëse di ta shfrytëzosh, besoj që ia sheh hajrin.
E pyetur nga moderatorja Lei Kraja nëse është penduar për këtë eksperiencë, ajo tha se përkundrazi kjo do të mbetet diçka që do ta kujtojë gjithmonë.
Jo, është diçka shumë e thjeshtë. Mendo për diçka që e ke përjetuar. Nëse ke ndjenjë të mirë, pozitive për të, atëherë nuk ke pse pendohesh. Unë, kur mendoj për “Big”-un, e kam një ndjenjë të mirë, ishte një atmosferë e këndshme për mua, sepse e pata vendosur që në fillim të tregoja talentin dhe anën pozitive të Artës.
E pyetur po ashtu nëse tekstet e saj muzikore janë bazuar në histori personale, Arta nuk hezitoi të përgjigjej:
Po, gjithmonë e kam pasur si qëllim që të vij tek publiku sa më e vërtetë. T’i shkruaj tekstet ashtu siç më kanë ndodhur në jetën time. Kënga e fundit “Për ty” është bazuar në një ngjarje të vërtetë që e kam përjetuar. Nuk ka më bukur se të këndosh një këngë dhe njerëzit të lidhen me atë këngë dhe ndjenjat e tua të vërteta.