Shumë njerëz vuajnë nga një gjendje ankthi që shfaqet që në çastin e parë të zgjimit, para se të kenë hapur sytë mirë. Është ndjesia se duhet të kalosh pjesën e parë të ditës dhe pastaj ankthi do të qetësohet, derisa në mbrëmje, kur gjithçka duket më e lehtë, filloni të pyesni veten pse mëngjesi ishte kaq i vështirë. Shkaktarët e këtij ankthi të mëngjesit mund të jenë të shumtë, nga hormonet deri tek mënyra sesi organizoni rutinën tuaj.
Kortizoli, hormoni i stresit, ndjek një cikël të përditshëm ku arrin pikën e tij më të lartë në mëngjes, e njohur si “përgjigjja e zgjimit nga kortizoli”. Ky hormon ndihmon trupin të jetë gati për të përballuar ditën, duke çliruar glukozë për energji. Por, kjo rritje natyrale e kortizolit mund të shkaktojë edhe ndjesi ankthi.
Mëngjeset shpesh janë një garë kundër kohës. Duke u përpjekur të përgatiteni për ditën, mund të ndiheni të mbingarkuar me detyrat që kërkojnë të kryhen shpejt, si përgatitja, veshja, mëngjesi apo edhe përgatitja e të tjerëve në familje. Ky nxitim i vazhdueshëm mund të shtojë ankthin dhe të ndikojë në humorin tuaj të mëngjesit.
Në mëngjes, mendja juaj fillon të mendojë për të gjitha sfidat e ditës. Duke parë gjithçka që keni për të bërë, mund të duket sikur po përballeni me një mal me vështirësi dhe pasiguri. Ndjenja se nuk e dini si do të përfundojnë gjërat apo nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, ushqen ankthin.
Përveç detyrave të shumta, mund të ndiheni sikur nuk keni aftësitë e duhura për t’i përballuar ato. Mund të ndiheni të përgjumur, trupi dhe mendja akoma nuk janë zgjuar plotësisht. Kjo ndjenjë e mungesës së besimit në aftësitë tuaja e bën ditën të duket më e madhe sesa ç’duhet. Me mundësitë e pafundme që ofron dita, presioni për ta shfrytëzuar maksimalisht mund të bëhet burim ankthi. Një mënyrë për të zvogëluar këtë ankth është të krijoni një rutinë të mëngjesit më të qetë.