Lifestyle

Arsyet se pse nuk është e këshillueshme të zgjoni qenushin tuaj nga gjumi!

Zgjimi i qenve nga gjumi mund të shkaktojë probleme serioze. Ndoshta dikur keni menduar se qentë dremisin dhe flenë shumë, por siç shpjegohet nga Catherine Georges, një eksperte për mirëqenien e kafshëve, ata kanë nevojë për shumë gjumë, sepse i ndihmon të rivendosin imunitetin e tyre dhe të riparojnë qelizat e dëmtuara në trup.

Mesatarisht, qentë shpenzojnë rreth gjysmën e ditës duke fjetur dhe vetëm 20% të ditës janë aktivë. Këto shifra ndryshojnë kur bëhet fjalë për këlyshët, qentë e moshuar dhe racat e mëdha. Qentë kanë cikle të ngjashme gjumi si njerëzit, kështu që ata gjithashtu hyjnë në fazën REM, e cila konsiderohet cikli më i thellë i gjumit dhe është gjithashtu faza në të cilën ata ëndërrojnë.

Kur bien në gjumë, qenve u duhen rreth 10 minuta për të kaluar nga faza e ngadaltë gjatë së cilës frymëmarrja ngadalësohet, presioni i gjakut bie dhe rrahjet e zemrës ngadalësohen në fazën REM. Në fazën REM, sytë rrotullohen nën kapakët e mbyllur dhe trupi mund të reagojë ndaj ëndrrave. Në këtë fazë, këmbët, bishti apo edhe veshët e qenit mund të dridhen. Për shkak se ata janë në një gjumë kaq të thellë, nuk ka nevojë t’i trembni ose t’i zgjoni sepse pas kësaj ata mund të çorientohen, mund të fillojnë të kërcejnë, gërvishten apo edhe të kafshojnë.

Veterineri Mondrian Contreras pohon gjithashtu se ka arsye të tjera pse nuk duhet të zgjoni kurrë një qen që ka rënë në gjumë. “Ekzistojnë gjithashtu kushte mjekësore si humbja e dëgjimit, artriti dhe lëndimet e shpinës që mund të bëjnë që qentë të jenë më reaktivë nëse zgjohen papritur. Ky reagim intensiv mund t’i bëjë ata të lëndojnë veten”,-tha ai. Nëse vërtet duhet ta zgjoni qenin, ekspertët këshillojnë që ta thoni emrin e tij në heshtje për të mos e trembur ose mund t’i vendosni një ëmbëlsirë të shijshme para surratit për ta bërë zgjimin një përvojë më pozitive.

Rikujtojmë, se qentë mund t’i ndihmojnë njerëzit të reduktojnë nivelet e stresit dhe të përmirësojnë përqendrimin dhe kreativitetin. Këtë ka sugjeruar një studim i ri nga studiuesit në Universitetin Konkuk në Seul. Duke përdorur elektroencefalografinë (EEG), kërkuesit monitoruan aktivitetin e trurit të 30 të rriturve të shëndetshëm ndërsa ata angazhoheshin në aktivitete të ndryshme me qentë, përkatësisht takime, lojëra, ushqyerje, masazh, kujdes, fotografim, përqafim dhe ecje.