Health & Beauty

Arsyet se përse njeriu plaket më shpejt në dimër!

Temperaturat e ulëta lënë gjurmë në shëndet dhe ndikojnë në procesin e plakjes. I ftohti dhe thatësia e ajrit nuk janë miqësore me lëkurën. Dimri arrin të prishë ekuilibrat e lëkurës duke shkaktuar skuqje dhe ndjeshmëri të lartë të saj. Kjo e fundit e bën lëkurën më të brishtë dhe rrit predispozitat për një plakje të parakohshme të saj. Nga ana tjetër, përdorimi i tepërt i kondicionerit përthan lëkurën dhe flokët.

Për fat të keq, festat dhe pushimet e fundvitit rrisin nivelet e stresit. Nivelet e larta të hormonit të stresit, kortizolit, janë të ashpra me lëkurën dhe e plakin atë përpara kohe. Dermatologët rekomandojnë më shumë kohë në kushtet e shtëpisë për t’i dhënë lëkurës mundësinë e rimëkëmbjes. Lëkura duhet mbrojtur me krem kundër diellit edhe gjatë dimrit. Rrezet UVA nuk e humbasin intensitetin e tyre gjatë dimrit dhe janë përgjegjëse për shumë dëmtime të thella në nivel qelizor.

Në dimër, duhet të përdorni kremëra me aftësi të madhe hidratuese dhe me përmbajtje të lartë të acidit hyaluronik. Dushi me ujë të nxehtë e përthan ndjeshëm lëkurën dhe e zhvesh atë nga vajrat natyralë. Uji që përdoret për lëkurën e fytyrës duhet të jetë i ngrohtë dhe kontakti me të nuk duhet të zgjasë më shumë se 20 minuta. Menjëherë pas banjës duhet ta lyeni lëkurën me një krem ushqyes.

Sa i përket pastrimit, dermatologët rekomandojnë përdorimin e solucioneve vajore për pastrimin që nuk e përthajnë lëkurën. Pasojat dhe përfitimet e çdo regjimi ushqimor ndihen që në fillim në lëkurë. Dermatologët thonë se konsumi i frutave, perimeve dhe erëzave duhet të jetë më i lartë në dimër. Sipas të dhënave, gjatë dimrit, niveli i vitaminës D dhe K bie. Në këtë mënyrë, dalin në pah rrathët e zinj të syve dhe lëkura zbehet. Ndërkaq, aktiviteti fizik nuk duhet të mungojë në dimër sepse mungesa e tij ndikon tek humori, pesha dhe inflamacioni në trup.