Çdo javë emisioni “Vitality Vibes” me Ilvi Begolli trajton një patologji të ndryshme, ku flasin njerëzit rreth një sëmundje, sqarohet si nisen simptomat e para dhe ndjesitë e tij. Më pas ky rrëfim i tregohet ekipit të mjekëve i cili shikon nëse mund të nxjerrin një diagnozë paraprake pa vizituar pacientin ose mund t’i japin një këshillë në mënyrë direkte, medikamente, ushtrime, këshilla, etj. Këtë të shtunë ka qenë i ftuar Dr. Rezart Ajazi, për të folur më shumë rreth abortit dhe si trajtohen rastet e rralla të problematikave të ndryshme gjatë shtatzënisë.
Kush janë disa nga shkaktarët, që sipas eksperiencës së tij, bëjnë të mundur një abort të pavullnetshëm?
Në top listën e problemeve që mund të çojnë në abort janë kryesisht problemet kromozomale, pra anomalitë gjenetike të frytit që është duke u rritur dhe kjo është një sfidë për të gjithë gjinekologët profesionistë, sepse anomalitë kromozomale duhet të diagnostifikohen herët. Përfaqësuesi kryesor i tyre është trizomia 21 ose sindroma Down, por janë edhe disa patologji të tjera që janë në nivele të diagnostifikueshme mirë sot edhe prej mundësisë që kanë analizat gjenetike që shoqërojnë ndjekjen dhe monitorimin e shtatzënisë. Pas tyre janë problemet infeksioze të gjitha natyrave. Infeksione virale, infeksione bakterologjike, infeksione parazitare, të cilat mund të çojnë drejt abortit. Probleme janë edhe anomalitë, të cilat lidhen me strukturën e mitrës, sepse në një pjesë të rasteve mitra mund të ketë problemet e saj anatomike. Mitra me perde siç njihet, ose mitra në formë zemre. Janë variante të anomalive. Këto janë baza e problemeve kryesore, por në abort mund të çojmë ndryshimet hormonale. Mund të kemi nëna diabetike, të cilat mund të kenë kontroll jo të mirë të diabetit dhe kjo mund të çojë në probleme të abortit. Nëna që vuajnë nga tiroidet, ndryshimet e tiroideve, që edhe këto shkaktojnë e shoqërohen me aborte dhe një sërë të tjerash probleme.
Edhe pse Rezarti është një mjek mjaft modest, ai është një ndër asetet e këtij vendi përsa i përket gjinekologjisë. Duke qenë se numërohen shumë raste të abortit të pavullnetshlm, a ka ndonjë mënyrë se si mund të parandalohet?
Duke qenë në këtë detaj, vlen të vlerësohet rëndësia që ka konsultimi i çiftit apo i nënës që planifikon të ketë një shtatzëni, sepse nëpërmjet këtij kontrolli mund të evidentohen disa probleme që më pas mund të komplikohen për abortin. Për shembull, struktura uterine dhe ndërhyrjet për normalizimin e saj, probleme që lidhen me çështjet infeksioze, ose një infkesion tjetër i rrugëve gjenetale, që mund të trajtohen dhe parandalon abortin. Kurse në momentin që ndodh shtatzënia dhe i nënshtrohet testit të kujdesit siç janë kujdesi kundrejt ndjekjes ekografike, apo kujdesi kundrejt ndjekjes së analizave përkatëse, këto pastaj përbëjnë një rrugë kundrejt kujdesit që në mjekësi ka rol orientues dhe vlerësues që janë protokollet e ndjekjes që përbëjnë një grup rregullash për çdo trimestër që shtatzënia të jetë e monitoruar.