Çdo vit, në auditorët e universiteteve publike po ulen gjithnjë e më pak studentë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, për vitin akademik 2022-2023, studimet në të gjitha programet e arsimit të lartë i vazhdojnë rreth 91 mijë studentë ose 75% e totalit të studentëve gjithsej, që arrijnë në rreth 121 mijë, përfshirë sistemin privat.
Në krahasim me vitin 2018, numri i studentëve të regjistruar në arsimin publik ra me 19.7%, afro 22.3 mijë studentë më pak.
Plakja graduale e popullsisë që ka ulur grupmoshën e re, së bashku me emigrimin e të rinjve, vlerësohen si arsyet kryesore që ndikuan në këtë tendencë. Grupmosha 15-24 vjeç zbriti në 13% të totalit në fund të vitit 2022, nga 16.1% më 2018-ën.
Universitetet, me rënien më të madhe, kryesojnë rrethet
Universitetet e rretheve shohin rënien më të madhe të studentëve. Në pesë vjet, Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ka humbur më shumë se gjysmën e studentëve, duke shënuar vetëm rreth 3.7 mijë të regjistruar në vitin akademik 2022/2023, nga 8 mijë e 245 më 2016-ën.
Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan kishte 37% më pak studentë në vitin 2022, në raport me pesë vjet më parë, ndërsa në ato “Fan S.Noli” Korçë dhe “Ismail Qemali” Vlorë, nga rreth 30% më pak.
Vetëm Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës ka rezistuar, duke pasur të njëjtin numër të regjistruarish në krahasim me pesë vite më parë.
Universiteti i Tiranës, (Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Ekonomisë, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë) më i madhi në vend, me 22 mijë studentë ose 24% të totalit të atyre të regjistruar, gjithashtu ka shënuar një tkurrje të lartë me 25% të numrit të nxënësve në 5 vitet e fundit.
Nuk ka pasur shumë interes as për Fakultetin e Mjekësisë, ku në vitin akademik 2022/2023 ishin të regjistruar 5 mijë e 842 ose 18% më pak se më 2018-ën.
Nga universitetet e mëdha, i vetmi me rritje, ndonëse të lehtë është ai Politeknik, me zgjerim prej 1.4%.
Universiteti që ka ngjallur më shumë interes ka qenë ai i Sporteve, i vetmi me rritje 29.3% të numrit të studentëve në pesë vitet e fundit, ndonëse ka një numër të ulët (1 mijë e 853).
Universitetet private ende vijojnë me rritje
Rreth 30 mijë studentë të tjerë ose 25% e totalit janë të regjistruar në universitetet private. Ndryshe nga publiku, sistemi privat ende vijon të rritet ndonëse duke u nisur nga një bazë e vogël. Në raport me 2018-ën, në privat janë shtuar gati 5 mijë studentë ose 18% më shumë.
Të dhënat e fundit të INSTAT-it për universitetet private janë për vitin akademik 2021-2022, ku më i madhi ishte Albanian University (3849), të ndjekur nga Universiteti Europian i Tiranës (3500), Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë (3089), Universiteti Epoka (2730), Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë (2550).