Kapitali njerëzor në Shqipëri po cënohet nga shërbimet e dobëta arsimore e shëndetësore. Në vend që të përmirësohen, duket se këto shërbime janë përkeqësuar me tej duke bërë që potencialet e njerëzve që jetojnë në Shqipëri, në vend që të rriten, të ulen. Në raportin e fundit rajonal, Banka Botërore vuri në dukje se si në të gjithë Ballkanin, edhe në Shqipëri ka një rritje të prevalencave të sëmundjeve që po ndikojnë negativisht cilësinë dhe produktivitetin e njerëzve.
Produktiviteti relativisht më i ulët i qytetarëve në vendet e Ballkanit shpjegohet me një prevalencë të lartë të faktorëve të rrezikut për shëndetin e të rriturve, mbi mesataret e rajonit, ECA dhe BE.
Incidenca mesatare e obezitetit në mesin e popullsisë së rritur në Shqipëri është 22.3%, teksa mesatarja rajonale është 23% krahasuar me 20% në ECA dhe 17% në BE.
Në rajon, përqindja mesatare e të rriturve duhanpirës është 35%, në Shqipëri 22.9 krahasuar me 28% në ECA dhe 26% në BE. Prevalenca e pirjes së duhanit është 28.9% në Shqipëri, ku mesatarja në rajon rezulton 26% krahasuar me 20% në ECA dhe 21 në BE.
Në të gjithë rajonin, prevalenca e pirjes së duhanit dhe alkoolit është dukshëm më e lartë te meshkujt se femrat, ndërsa prevalenca e obezitetit është pak më e lartë tek femrat.
Por mangësitë më të mëdha në potencialin njerëzor po krijohen nga cilësia e dobët e arsimit. Testet ndërkombëtare të studentëve kanë treguar se rezultatet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ishin ndër më të ulëtat në rajon. Përtej rezultateve të ulëta të arsimit bazë, e njëjta performancë e dobët vërehet edhe në arsimin e lartë, ku cilësia është e ulët.
Nota mesatare e cilësisë së universitetit në vendet e WB6 është 8.7 (në një shkallë nga 0 në 100, ku 100 korrespondon me universitetin të renditur më lartë në botë) ndërsa mesatarja për ECA është 12.5, për BE-në, 28.8 dhe lideri në botë (Singapori) ka rezultatin 50.3.
Performanca e rajonit mbështetet vetëm nga Serbia, me notë mesatare të cilësisë universitare prej 22.6 ndërsa vendet e mbetura të rajonit, dukshëm kanë rezultatet më të ulëta. Në Ballkanin Perëndimor, mesatarisht, 29% e të rriturve të moshës 30-34 vjeç kanë një diplomë universitare, krahasuar me 33% në ECA dhe 43% në BE.
Banka Botërore vë në dukje se përmirësimi i cilësisë në arsimin e lartë është thelbësor që vendet të kalojnë drejt një modeli të ri të rritjes, i cili do t’i çojë ato në arritjen e statusit me të ardhura të larta./Monitor