Gjatë natës intensiteti i reshjeve ra duke sjellë përmirësim të motit. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se në segmentin rrugor Skurraj-Peshkopi ka pasur rënie gurësh në trup të rrugës, menjëherë është bërë pastrimi nga grupi i punës i ndodhur në terren.
Në segmentin rrugor Berat-Çorovodë ka pasur prani të aluvioneve dhe inerteve në trup të rrugës, është punuar për pastrimin e tyre pa penguar qarkullimin e mjeteve. Në të gjitha akset kombëtare qarkullimi vazhdon normalisht.
Reshjet e dendura të shiut që ranë gjatë ditës së djeshme në të gjithë vendin, deri në orët e vona të mbrëmjes, krijuan problematika në rrjetin e shpërndarjes së energjisë, ku ndër zonat më të prekura ishte qyteti i Vlorës. Pas një pune intensive të grupeve të avarisë së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Vlorë deri në mesditë, raportohet se energjia elektrike është rikthyer në 85 % të zonave të prekura nga moti i keq.
Problematike, sipas OSSH-së, mbetet situata në zonën rreth Skelës dhe qendrës së qytetit, ku vijon puna nga ana e brigadave të terrenit për rikthimin e energjisë tek të gjithë abonentët. Për shkak të prezencës së ujit në zonën ndërmjet rrugës Transballkanike dhe bulevardit, me grupet e OSSH janë bashkuar dhe forcat e ushtrisë dhe ekipet e Emergjencave Civile për largimin e ujit nga e gjithë zona e përmbytur.
Nga ana e OSSH, për arsye sigurie është stakuar energjia elektrike në këtë zonë deri në normalizimin e situatës.
Trupat në terren po punojnë për largimin e ujit në blloqet e banesave midis akseve të bllokuara: te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit.
Efektivët e FA po punojnë me dy pompa për largimin e ujit nga stacioni kryesor i pompimit, ku ende vazhdon të ketë prezencë uji.
Hidrovori i qytetit punon me kapacitet të plotë, duke bërë tërheqjen graduale të ujit.
Është stakuar energjia elektrike në disa blloqe banesash të qytetit, kryesisht aty ku gabinat elektrike kanë prani uji.
Situata vazhdon të ndiqet në terren nga autoritetet vendore dhe Drejtori i Gadishmërisë dhe Veprimeve Operacionale në AKMC.