Përfaqësuesit e punëtorëve në një fabrikë të Nissan Motor në shtetin meksikan të Morelos kanë arritur një marrëveshje me prodhuesin japonez të makinave për të rritur pagën me 9% që nga muaji prill. Marrëveshja e Nissan, për të cilën sindikata tha se shumica e punëtorëve e miratuan në fund të muajit shkurt, është në përputhje me rritjet e tjera të kohëve të fundit në prodhuesit e makinave në Meksikë, ndërsa inflacioni zvogëlon fuqinë blerëse.
Leobardo Herrera, kreu i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Nissan Mexico, tha se sindikata synonte të rriste pagat përtej inflacionit i cili në fillim të shkurtit kapi shifrën prej 7.76% dhe ja doli që të arrijë një marrëveshje të shpejtë me kompaninë. “Ne jemi të interesuar në ruajtjen e stabilitetit të punës,”- tha ai. Pagat e reja do të jenë në fuqi për një vit përpara se sindikata dhe kompania të ri-negociojnë.
Nissan Mexicana, siç njihet njësia e kompanisë në Meksikë, tha se ka negociuar me sindikatat në shkurt dhe është e angazhuar për të siguruar të drejtat e punës për rreth 1,500 punëtorë, të cilët janë anëtarë të sindikatës në fabrikën e saj në Morelos, e cila prodhon kamionçinën NP300.
Prodhuesi i automjeteve prodhon modele të tjera në fabrikat në shtetin Aguascalientes disa qindra kilometra në veriperëndim të Morelos, punëtorë të cilët përfaqësohen nga një sindikatë tjetër. Në marrëveshjet e tjera të pagave vitin e kaluar, paga për punëtorët e anëtarësuar në sindikata u rrit me 9.4% në Audi, 9% në Volkswagen dhe 8.5% në General Motors.