Me urdhër të SPAK-ut, arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Në pranga ranë dhe dy persona të tjerë, të identifikuar si financieri Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla. Avokati i Beqajt konfirmoi arrestimin e tij ndërsa mësohet se operacioni u krye nga Policia e Tiranës. Vitin e kaluar, Prokuroria e Posaçme nisi hetim për abuzim me fondet në SASPAC në kohën kur e drejtonte Beqaj. SASPAC është Agjencia Shtetërore e Koordinimit të Ndihmës. Ilir Beqaj u emërua në nëntor të 2022-shit e qëndroi për një vit në këtë detyrë.
Momentalisht, ndaj ish-ministrit Beqaj janë dy dosje, ajo e koncesionarit të Sterilizimit, për të cilën po hetohet nën masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” për “Shpërdorim detyre” lidhur me kontratën koncensionare të Sterilizimit në kundërshtim me ligjin.
E dyta, ka të bëjë me abuzime me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC.
Më 18 mars 2024, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve për koncesionin e Sterilizimit, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë, mes tyre ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët gjenden në paraburgim. SPAK-u i akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të Sterilizimit me vlerë 100 milion euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga Rrapaj.
Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe në qeveri mbajti postin e ministrit të Shëndetësisë në vitet 2013-2017. Më 2021-shin, u emërua në krye të SASPAC-ut nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi.
Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO për t’i caktuar masën e sigurimit “Detyrim për paraqitje” në lidhje me akuzat sa i përket aferës së Sterilizimit, Ilir Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe po ashtu nga pozicioni si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.