Aktualitet

Arrestohet 31-vjeçari në Durrës që plagosi të moshuarin për borxhin e pashlyer!

Vijon të jetë në Spitalin e Durrësit, i moshuari i plagosur dje me armë zjarri në një lokal në lagjen nr.17 të qytetit bregdetar. Mësohet se uniformat blu prangosën autorin e dyshuar, shtetasin e identifikuar si Adil Hizdri, 31-vjeç, i cili tentoi të vriste 70-vjeçarin Fadil Hunda duke e qëlluar për një borxh të pashlyer.

Hizdri me banim në Shijak akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit”. Personi tjetër i cili ishte në vendin ku ndodhi ngjarja, me inicialet A.T e që dje u shoqërua në polici, më pas u la i lirë në përfundim të veprimeve hetimore. Arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar si e përdorur për plagosjen, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi zyrtar policor: 

Durrës

Arrestohet në flagrancë 31-vjeçari që tentoi të vriste me armë zjarri pistoletë, një 70-vjeçar, dje në një lokal.

Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Durrës, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, rreth orës 19:30, në një lokal në lagjen nr.17, ku për shkak të një borxhi të pashlyer, mbeti i plagosur me armë zjarri pistoletë, shtetasi F.H., 70 vjeç, banues në Durrës, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin:

A.H., 31 vjeç, banues në Shijak, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit”. Arma e zjarrit pistoletë e dyshuar e përdorur për plagosjen u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shtetasi A.T., që u shoqërua dje, pas ngjarjes, në përfundim të veprimeve hetimore, u la i lirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.