Bota

Arrestohen në Amerikë dy drejtues të lartë të kartelit Sinaloa/Mediat tregojnë prapaskenat!

Agjentët amerikanë arrestuan dy udhëheqës të lartë të kartelit meksikan të drogës, Sinaloa. Arrestimet u kryen dje në Teksas, siç bëri të ditur Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara.

Ismael Zambada Garcia, i njohur edhe si “El Mayo”, bashkëthemelues i kartelit e Joaquin Guzman Lopez, djali i një tjetër bashkëthemeluesi, u arrestuan në El Paso, njoftoi prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, përmes një deklarate.

Prokurori Garland e përshkroi kartelin e Sinaloas si “një prej organizatave më të dhunshme dhe më të fuqishme në botë për trafikimin e drogës”. Dyshja e arrestuar përballet “me disa akuza në SHBA për drejtimin e operacioneve kriminale të kartelit, përfshirë edhe rrjetet e tij për prodhimin e trafikimin e fentanilit vdekjeprurës”.

Arrestimet konsiderohen një tjetër goditje e madhe ndaj kartelit Sinaloa, bashkëthemeluesi i të cilit, “El Chapo” Guzman po vuan dënimin me burgim të përjetshëm një burg të sigurisë së lartë, po në SHBA. “El Chapo” u dënua më 2019-ën për drejtimin e atij që besohet se është karteli më i madh në botë i narkotikëve.

Karteli i krijuar në shtetin veriperëndimor të Sinaloas është një prej grupeve më të fuqishëm e më të dhunshëm kriminalë të Meksikës. Pas kapjes së “El Chapos”, disa nga djemtë e tij, të njohur kolektivisht si “Chapitos” trashëguan kontrollin e organizatës, sipas autoriteteve amerikane. Ovidio Guzman Lopez, vitin e kaluar u ekstradua në SHBA dhe përballet me akuza për trafikim droge.

Drejtoresha e Administratës amerikane kundër Drogës, Anna Milgram deklaroi:

Arrestimi i Zambadas është një goditje në zemër të kartelit që është përgjegjës për shumicën e drogës, përfshirë fetanilin dhe metamfetaminën, drogë që po vret amerikanët.

Detajet e arrestimeve, zyrtarisht nuk janë bërë publike, por mediat amerikane, duke u bazuar në burime të sigurisë, thanë se është zhvilluar një operacion dramatik dhe autoritetet kanë arritur që ta joshin “El Mayon” të kalojë padashur kufirin e Meksikës e të hyjë në tokën amerikane.

Fox News raportoi se Guzman Lopez e bindi Zambadan të udhëtonte me një avion privat për në jug të Meksikës, por avioni fluturoi drejt veriut dhe u ul në El Paso të Teksasit. Kur u ul, Guzman u dorëzua dhe “El Mayo” u kap, sipas Fox News.

Ndërkaq, The New York Times citoi zyrtarë amerikanë të kenë thënë se djali i Guzmanit e bindi Zambadan të hipte në avionin privat, që fluturoi drejt El Pasos, “nën pretendime të rreme”. Zambada, 76 vjeç, bashkëthemelues i kartelit, është përshkruar nga InSight Crime si “një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës në historinë amerikane”. Për informacione që do të çonin deri në arrestimin e tij, Amerika kishte ofruar 15 milion dollarë shpërblim.