Organizata më e madhe kriminale e trafikut të drogës në Ballkan mori një goditje të fortë pas një operacioni ndërkombëtarë të kryer nga Serbia, Holanda dhe Belgjika.
Agjencia e Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit, EUROPOL njoftoi se blice të koordinuara u kryen në Serbi e Holandë. Qëllimi i bastisjeve ishte kapja e liderit të kartelit dhe shkatërrimi i infrastrukturës së shpërndarjes.
Shtatë anëtarë të tjerë të kësaj organizate kriminale ishin arrestuar në Belgjikë në vitin 2021. Pak ditë më parë, revista e së dielës e gazetës Nju Jork Tajms publikoi një artikull të gjatë ku përshkruante me detaje krimet e kryera nga banda e Veljko Belivukut, kreu i grupit të tifozëve të ekipit të futbollit, Partizani i Beogradit.
Ai dhe 29 pjesëtarë të grupit u arrestuan më 2021 pasi EUROPOL-i arriti të deshifrojë aplikacionin për mesazhe telefonike Sky – ECC, një mjet i preferuar komunikimi i trafikantëve të kokainës në Evropë. Aty u zbuluan të gjitha të dhënat për grupin e Veljko Belivukut.
Sipas EUROPOL-it, në operacionin e fundit, janë vënë në pranga gjithsej 23 persona, mes të cilëve 3 drejtuesit e kësaj organizate kriminale.
Gjatë bastisjeve janë konfiskuar “15 makina luksoze dhe bizhuteri me vlerë të lartë si dhe orë dore me vlerë prej rreth 2 milionë eurosh dhe gati 3 milionë euro para të gatshme. Po kështu u sekuestruan edhe “armë dhe eksplozivë, përfshirë 2 pushkë snajper, 3 pushkë automatike dhe armë” të tjera si dhe material shpërthyes.
Grupi i shkatërruar sipas njoftimit besohet të jetë pas dërgesave shumëtonëshe të kokainës që u nisën drejt Evropës nga Kolumbia, Brazili dhe Ekuadori, ose duke kaluar tranzit përmes Afrikës Perëndimore.