Bota

Arrestimi i gazetarit amerikan nga Rusia, presidenti Biden: Lirojeni!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, bën thirrje që Rusia të lirojë gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i cili po mbahet i arrestuar me akuzat për spiunazh. Ndërkaq, Biden kundërshton kërkesën e bordit të redaksisë së gazetës amerikane për të dëbuar gazetarët rusë nga Amerika.

I pyetur nga gazetarët e Shtëpisë së Bardhë se cili është mesazhi i tij për Rusinë në lidhje me Gershkovichin, shtetas amerikan, Biden tha:

Lëreni të shkojë!

Në një artikull të publikuar dy ditë më parë, bordi i redaktorëve i Wall Street Journal kërkoi dëbimin e ambasadorit rus në Shtetet e Bashkuara e po ashtu, “të të gjithë gazetarëve rusë që punojnë në territorin amerikan”, duke e përshkruar këtë masë si “minimumi që mund të pritet”. Ndër të tjera, në artikull thuhet:

Koha e arrestimit duket si një provokim i llogaritur për t’i vënë në vështirësi  Shtetet e Bashkuara e për të frikësuar shtypin e huaj që ende punon në Rusi.

Dje, kryeredaktorja Emma Tucker i dërgoi një letër stafit të gazetës, duke i siguruar se do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka është në dorën e tyre për të siguruar lirimin e Evanit.

Për mua, më shumë rëndësi ka siguria juaj dhe ne do të vazhdojmë ta mbrojmë, pavarësisht se nga ku mund të jeni duke raportuar.

Duke folur me gazetarët përpara se të nisej për të parë dëmet nga tornado në Misisipi, Biden bëri të qartë se dëbimi i gazetarëve rusë “nuk është në plan për momentin”.

Gershkovich besohet të jetë i pari gazetar i huaj, i arrestuar për spiunazh në Rusinë post-sovjetike. Pritet që prangosja e tij ta përshkallëzojë përplasjen e Kremlinit me Perëndimin e që pikënisjen e ka te lufta ruse në Ukrainë.

Në përgjigje të kërkesës së bordit të Wall Street Journal që të gjithë gazetarët rusë të dëbohen, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “gazeta mund ta thotë këtë, por kjo nuk duhet të ndodhë. Thjesht nuk ka asnjë arsye për një gjë të tillë”. Peskov u shpreh se “Gershkovich u kap në flagrancë”.